Përfundojnë garat sportive për nder të “Ditës së Forcës”

17:39 | 15 Dhjetor 2023
K.B

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e përfundimit të garave sportive, të organizuara për nder të “Ditës së Forcës”.

Edhe këtë vit garat sportive u realizuan në gjashtë disiplina Futboll, Volejboll, Shah, Kros, Ping Pong dhe Shenjëtari, ku garuan pjesëtarë nga të gjitha njësitë e FSK-së.

Garat sportive i ndoqi nga afër edhe zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi si dhe oficerë e nënoficerëve të njësive të FSK-së.


“Disiplina e fundit u zhvillua sot në futboll në mes të dy ekipeve të Komandës së KFT-së dhe Regjimentit të parë të KFT-së, të cilën e nisi Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Ilir Qeriqi e që u përcoll nga afër edhe nga zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi si dhe oficerë e nënoficerëve të njësive të FSK-së”, thuhet në njoftimin nga FSK-ja, shkruan Arbresh.info

Gjeneral Cikaqi, përshëndeti dhe përgëzoi garuesit e të gjitha disiplinave, duke vlerësuar lartë organizimin, punën dhe disiplinën e treguar gjatë realizimit të garave.

Ndërsa gjatë ceremonisë u ndanë çmimet fituese për të gjitha disiplinat: vendi i parë në futboll i takoi ekipit të Regjimentit të parë të KFT-së, Shenjëtari vendin e parë e mori rreshter shtabor Rafet Gashi, Regjimenti i parë i KFT-së, në Shah më i miri u zgjodh rreshter shtabor Arsim Kelmendi, Regjimenti i Qëndrueshmërisë KL, në kategorinë e Ping Pongut vendin e parë e fitoi nëntoger Enes Demiri, Regjimenti i Xhenios GK, ekipi i Garda Kombëtare e mori vendin e parë në volejboll, ndërsa në Kros në kategorinë e femrave vendin e parë e mori ushtar i klasit të parë Edona Guri, regjimenti i parë i KFT-së, ndërsa vendi i dytë për meshkujt në këtë kategori shkoi për ushtar Leon Thaçi nga Regjimenti i parë i KFT-së.


Në disiplinën e futbollit, lojtari më i mirë u zgjodh Albin Syla, portieri më i mirë Blend Ademaj dhe golashënuesi Ismail Rexhepi, në volejboll lojtari më i mirë u shpall Blerto Prokshi, Regjimenti i tretë i KFT-së.

Sipas komunikatës së FSK-së, ngjarje të tilla jo vetëm që promovojnë shëndetin dhe dëshmojnë përgatitjen fizike të personelit të FSK-së, por gjithashtu krijojnë atmosferë të shkëlqyer të bashkëpunimit, rivalitetit sportiv në mesin e pjesëtarëve, si dhe ndihmojnë në ngritjen e përkushtimit ndaj detyrave të përbashkëta dhe misioneve të FSK-së./Arbresh.info/

Të ngjashme