Adresimi i Osmanit në Kuvend – PDK nuk merr pjesë në seancë, Tahiri: Vetëm përfaqësuese e unitetit të popullit nuk mund të jetë

11:02 | 15 Dhjetor 2023
A Z

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do t’i adresohet Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në seancë.

Sipas tij, Osmani ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit.

Tahiri tha më tej se Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Postimi i plotë i tij:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës edhe këtë vit nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani, sepse e njëjta fatkeqësisht ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit.
Zonja Osmani, si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm përballë sfidave që ka kaluar vendi jonë gjatë këtij viti, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtem.

Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit.

Fatkeqësisht në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente nuk shquhet për asnjë nismë të vetme, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore.

Po ashtu, duke qënë përfaqësuesja më e lartë e shtetit, zonja Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare.

Në aspektin e brendshëm, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq duke e shkelur kushtetutën në çështjen e mos dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarsinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative.

Zonja Osmani, ka vazhduar të hesht përballë aferës në fushën e energjisë e cila për protagonist e ka ambasadorin e Kosovës në Kroaci, vendimi për emërimin e të cilit e ka vulën e saj. Ajo e ka mbrojtur verbërisht të njëjtin edhe përballë hetimeve ndërkombëtare që janë zhvilluar ndaj tij, ndërsa e ka cenuar përfaqësimin e interesit shtetëror, jo vetëm në Kroaci ku i njëjti është duke shërbyer, por edhe në Slloveni ku i njëjti është duke u hetuar.
Nga ana tjetër, zonja Osmani si presidente nuk e ka pasur as kurajon më të vogël politike dhe institucionale për të mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, proces i cili Kosovës i solli marrëveshjen më të dëmshme të mundshme – atë të Brukselit, Aneksin e saj të Ohrit dhe së fundi edhe draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si derivat i kësaj marrëveshje.

Pra, duke qëndruar e heshtur edhe përballë procesit të dialogut që vendit i solli autonominë politike dhe territoriale serbe në Kosovë, e në anën tjetër duke qënë kreu i shtetit dhe përfaqësuese e parë e Kosovës në politiken e jashtme, ajo ka dhënë dëshminë më të madhe që vetëm përfaqësuese e unitetit të popullit nuk mund të jetë.

Zonja Osmani si presidente, gjithashtu ka heshtur edhe ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i qasjes destruktive të kryeministrit Kurti në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe procesin e dialogut në veçanti.

Ajo fatëkeqësisht nuk e ngriti zërin as përballë kërkesave legjitime për mbështetje të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të sigurisë, e aq më pak, të angazhohej për plotësimin e kërkesave të tyre elementare.

Në këtë mënyrë, duke vepruar si zëdhënëse e qeverisë dhe e shumicës parlamentare tashmë mund të themi se roli i saj përfundimisht është i dëmshëm.
Edhe këtë vit ajo do të mbahet mend vetëm për gjuhën e saj jo unifikuese, polarizuese dhe përçarëse por edhe si shërbëtore e përkushtuar e Albin Kurtit dhe pushtetit të saj.
Prandaj, nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së, për aq sa ka vepruar në shpërputhje të plotë me rolin dhe pozitën kushtetuese si presidente./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme