Google ADS

Izraeli shpërfil thirrjet pë mbrojten e civilëve në Gaza

07:37 | 14 Dhjetor 2023
K.B

Izraeli është me pushime. Shkollat nuk po punojnë, por larg zonave të vijës së parë të frontit, qendrat tregtare janë plot me njerëz. Dyqanet e ëmbëlsirave janë mbushur me petullat, që hebrenjtë pëlqejnë të hanë gjatë Hanukkah, festivalit fetar.

Ndryshe është sa më shumë t’i afrohesh luftës. Përgjatë kufirit të Gazës, në zonën e njohur nga izraelitët si “zarfi”, tanket dhe trupat lëvizin, civilët janë gjetkë dhe duket si një zonë lufte.

Në veri, përgjatë kufirit me Libanin, komunitetet janë evakuuar, gjithashtu dhe ushtria vazhdon të shkëmbejë luftime me aleatin më të fortë të Iranit, Hezbollahun.

Por, vizitorët e rastësishëm mund të jenë në gjendje të mashtrojnë veten, se jeta është kthyer disi në “normalitet” në Izraelin qendror, zona e gjerë e tokës midis Jerusalemit dhe Tel-Avivit.

Kjo përshtypje doli të jetë e gabuar derisa vozisja me makinë për në Tel-Aviv. Sirenat e sulmit ajror filluan të dëgjoheshin dhe aplikacioni i alarmit të kuq, që izraelitët kanë në telefonat e tyre dërgoi paralajmërime, ndërsa njerëzit kishin filluar të strehoheshin në shtëpitë e tyre. Të tjerë njerëz vozisnin me shpejtësi për të dalë nga zona. Tre makina u përplasen me njëra-tjetrën.

Ne u larguam, ndërsa një grup grash dolën nga makina e tyre dhe u përqafuan fortë me njëra-tjetrën.

Nga lart, gjurmët e avullit nga sistemi kundërajror “Iron Dome” u përkulën drejt raketave që vinin nga Gaza, shpërthime të forta u panë në qiell ndërsa rrëzuan shumicën e predhave. Një burrë u plagos në Holon, jashtë autostradës.

Trauma e thellë

Fakti që Hamasi ende mund ta sulmojë Izraelin është provë e fortë, se nuk është mposhtur. Përgjigjja e shoferëve ndaj sirenave të sulmit tregon thellësinë e traumës që Hamasi i ka shkaktuar Izraelit, që është pa dyshim një lajm i mirë për liderët e Hamasit. Izraeli beson se ata janë diku nën Gazë, në tunele nëntokësore.

“Së pari, harroni gjithçka që mendonit se dinit për Izraelin para 7 tetorit. Gjithçka ka ndryshuar”, tha Amos Yadlin, një gjeneralmajor në pension ndërkohë që po përgatiteshim për një intervistë në zyrën e tij në Tel-Aviv, me pamje nga Ministria e Mbrojtjes e Izraelit. Yadlin ishte një pilot, veteran i luftës që doli në pension si kreu i inteligjencës ushtarake izraelite.

Ne vendosëm ta intervistonim për të marrë një ide mbi strategjinë e luftës së Izraelit. Në fund, gjithçka që ai tha ishte po aq interesante sa gjendja shpirtërore në Izrael.

Yadlin e krahasoi vazhdimisht luftën e Izraelit kundër Hamasit me Luftën e Dytë Botërore. Ai e mbronte numrin e madh të vrasjeve nga Izraeli, të civilëve palestinezë në Rripin e Gazës dhe thoshte, se eliminimi i Hamasit ishte jetik për të ardhmen e Izraelit.

“Ju bombarduat Dresdenin me 120 mijë njerëz, vratë gra e fëmijë. Ne po përpiqemi ta shmangim këtë dëm kolateral. Ne u kërkojmë që të largohen. Ne u kërkojmë atyre, që të shkojnë në pjesën jugore të Gazës”, tha Yadlin, duke iu referuar shkatërrimit të Dresdenit në Gjermani nga RAF-i në vitin 1945.

Iu kujtova se Izraeli po bombardonte gjithashtu zonat që u kishin thënë palestinezëve se do të ishin të sigurta. Yadlin këmbënguli se Izraeli po e bombardonte Hamasin, jo civilët.

“Jo, ne nuk i bombarduam. Ne bombarduam caqet e Hamasit. Vetëm caqet e Hamasit dhe Hamasi i përdor ato si mburojë njerëzore”.

Ai hodhi poshtë kritikat e administratës së Bidenit në SHBA, se Izraeli po vriste shumë civilë palestinezë. Ai tha se Izraeli ishte më i kujdesshëm në shmangien e viktimave civile sesa kishin qenë SHBA-ja dhe Britania e Madhe kur ato bombardonin grupet xhihadiste në Siri dhe Irak.

Interpretimi i tij nuk përkrahet nga ish-gjeneralët e përfshirë në luftërat në Irak dhe Afganistan. Një oficer i lartë britanik më tha se ishte i tmerruar nga përbuzja e Izraelit ndaj ligjeve të luftës që mandatojnë mbrojtjen e civilëve. Ai tha se kjo nuk do të lejohej në ushtrinë britanike.

Amos Yadlin, i cili ende këshillon pasardhësit e tij në ushtrinë izraelite, beson se Izraelit i duhet më shumë kohë për të arritur qëllimet e tij ambicioze në Gaza. Izraeli dëshiron të shpëtojë pengjet e tij, të vrasë liderët e Hamasit, ta asgjësojë atë si një formacion ushtarak që mund të kërcënojë izraelitët dhe të shkatërrojë kapacitetin e tij për të qeverisur.

Kuptova se edhe pse SHBA-ja ia kishte vënë veton rezolutës së fundit të armëpushimit, kjo po sinjalizonte se Izraeli kishte javë e jo muaj për t’i dhënë fund asaj që donte të bënte.

“Nuk mjafton për të arritur qëllimin”, tha Yadlin. “Nëse bëhet fjalë për armëpushim pa kthimin e pjesës tjetër të pengjeve, nuk do të ketë armëpushim”.

Izraeli ka ushtri jashtëzakonisht të fuqishme dhe mbështetjen e SHBA-së. Por me gjithë bindjen e saj të thellë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta shkatërrojë Gazën për të çrrënjosur Hamasin, aleatët si dhe kritikët janë të tmerruar nga mënyra se si Izraeli ka vrarë më shumë se 18 mijë palestinezë, nga të cilët ndoshta gjysma ishin fëmijë.

Megjithatë, siç tregoi Amos Yadlin, izraelitët duken të vendosur të shtyjnë kritikat për të arritur qëllimet e tyre. Pas kësaj vjen çështja e mprehtë për qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

Yadlin tha se nuk do të ketë pushtim të gjatë izraelit të Gazës, por nëse vendosmëria e udhëheqjes aktuale për të kontrolluar Rripin për të ardhmen nuk ndryshon, okupimi duket i sigurt./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme