Maqedonci merr mbështetjen e SHBA-së për Kosovën në Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO

20:02 | 13 Dhjetor 2023
E.H

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA, ku sot është pritur në takim nga ndihmës sekretari i Shtetit, James O’Brein.

Maqedonci tha se në takim me O’Brein ka ritheksuar vendosmërinë e palëkundur të Qeverisë, institucioneve dhe popullit të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, shkruan Arbresh.info.

“Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot në Departamentin e Shtetit, u prita në takim nga Ndihmëssekretari i Shtetit, James O’ Brein. Në këtë takim të ngrohtë e shumë miqësor, Ndihmëssekretarit O’Brein i ritheksova që Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet dhe i gjithë populli i Kosovës është i vendosur palëkundshëm në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar ministri në llogarinë e tij në Facebook.

Mes tjerash, Maqedonci ka falënderuar ndihmës sekretarin e Shtetin për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovës, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ndihmëssekreatarin O’ Brien e falënderova për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, e në veçanti për mbështetjen në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Diskutuam për ambientin global të sigurisë dhe impaktin e tij në regjionin e Ballkanit perëndimor si dhe për nevojën e fuqizimit të përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me rreziqet dhe kërcënimet”, tha tutje Maqedonci.

O’Brein sipas Maqedoncit ka ritheksuar mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO.

Ndërsa, kanë rënë dakord për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes të Kosovës, që sipas Maqedoncit, të jenë në funksion të rritjes së sigurisë në vend.

“Ndihmësekretari James O’ Brien ritheksoj mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për antarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO. U dakorduam që të thellojmë bashkëpunimin dhe të vazhdojmë bashkë ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, me qëllim të qartë që këto kapacitete të jenë në funksion të rritjes së sigurisë në vend dhe regjion si dhe të jenë të përgatitura që bashkë me parterët të mbështesin paqen kudo në botë”, tha në fund Maqedonci./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme