Serbia ende pa konfirmim nëse do ta respektojë deklaratën e BE-së

16:54 | 13 Dhjetor 2023
E.H

Serbia nuk ka konfirmuar nëse do t’i përmbahet deklaratës nga samiti i rregullt vjetor i liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre nga Ballkani Perëndimor që mbahet sot, më 13 dhjetor, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime diplomatike në Bruksel.

Këto burime thanë  se po vazhdojnë përpjekjet me Serbinë për të arritur pajtimin, edhe pse rezultati i përpjekjeve mbetet i pasigurt.

Disa burime kanë konfirmuar se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përveç Serbisë, tashmë kanë konfirmuar se do të bien dakord për deklaratën përfundimtare.

Deklarata përfundimtare miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe teksti i deklaratës është i harmonizuar bashkë me liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit.

Përafrimi me deklaratën nuk është i detyrueshëm për vendet e rajonit, por sigurisht që ka pritje ndaj tyre, sipas zyrtarëve të lartë të BE-së, që kanë punuar në organizim të takimit.

“Megjithatë, mospërputhja me deklaratën dërgon sinjal negativ për ne, sepse tregon orientimin gjeostrategjik të këtyre vendeve dhe nëse ato ndajnë vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së, i familjarizuar me këtë format samiti.

Deklarata përfundimtare do t’u bëjë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar anashkalimin e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

“Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, thuhet në draft deklaratën që do të miratohet në fund të samitit.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

BE-ja i bën thirrje rregullisht Beogradit zyrtar që të harmonizojë politikën e tij të jashtme me politikat e BE-së.

Mbërritja e liderëve në samitin e rregullt vjetor BE-Ballkani Perëndimor ka nisur pas orës 15:30, ndërsa punimet e samitit nisin në orën 17:00.

Para nisjes së samitit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka nënvizuar nevojën për përshtatje me politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Jam i lumtur se kam mundësinë që në këtë samit të përmbledh tërë punën që kam bërë në Ballkanin Perëndimor. Po jetojmë në një kohë të vështirë me zhvillimet që kanë ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor. Ne duhet së pari të vazhdojmë procesin e zgjerimit, sepse është mjet i mirë. Pastaj t’i mbështesim më shumë ata të cilët janë përshtatur më shumë me ne në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo rrit edhe rezistencën e tyre nga kërcënimet. Nga ky samit do të njoftojmë ndarjen 2 milion euro ndihmë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për këtë qëllim”, ka thënë Borrell.

Ai ka thënë se edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka lëvizje pozitive, sado të ngadalshme.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilin kemi investuar shumë kohë dhe energji, ka kaluar përmes uljeve dhe ngritjeve, shumë krizave por dhe zgjidhjeve [për çështje si] letërnjoftimet, targat e veturave, energjia e tjera. Ka pasur lajme të mira ditëve të fundit, të dyja palët po lëvizin, ngadalë por së paku po lëvizin. Dhe duhet t’i inkurajojmë që të lëvizin edhe më shumë”, ka thënë Borrell.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se ky samit është “një rast për të thelluar përkushtimin tonë”.

“Presim më shumë reforma, sidomos në sundimin e ligjit dhe drejtësi. Por, edhe në anën tonë, duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. Prandaj, kam propozuar reforma që edhe ne të bëhemi gati për zgjerim. Duhet të investojmë më shumë dhe të zhvillojmë integrimin gradual”, ka thënë ai.

Michel sërish u ka bërë thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin mospajtimet mes vete.

“Ata duhet t’i zgjidhin edhe mospajtimet mes tyre. Projekti evropian është i bazuar në pajtim dhe bashkëpunim”, është shprehur Michel. Ai ka shtuar se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritat individuale, ndërsa ka përsëritur idenë e tij që edhe BE-ja edhe vendet e rajonit të bëhen gati për zgjerim deri në vitin 2030.

Kosova, në këtë samit, do të prezantohet nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Në një komunikatë të lëshuar për media të martën, është thënë se Osmani “do të diskutojë për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës”.

Konfirmimi i perspektivës së BE-së për rajonin

Këshilli Evropian ka thënë se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, si dhe nevojën për kryerje të reformave, të cilat bazohen në vlerat dhe parimet e BE-së.

Në mesin e temave në rend të ditës janë thellimi i angazhimit politik dhe politik në Ballkanin Perëndimor, afrimi i partnerëve nga rajoni dhe nxitja e integrimit gradual, ndërtimi i një baze ekonomike për të ardhmen si dhe zbutja e ndikimit të luftës së Moskës ndaj Ukrainës, e nisur në shkurt të vitit 2022.

Për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Në deklaratën përfundimtare, një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, liderët do t’i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, si dhe të punojnë në ulje të tensioneve.

Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.

Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit.

Më saktësisht, takime të tilla organizohen prej vitit 2020, me iniciativën e Kroacisë, e cila asokohe kryesonte Bashkimin Evropian.

BE-ja, gjithashtu, fton rregullisht përfaqësues të këtyre vendeve në takime të ndryshme në nivel ministror.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme