Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi të martën se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të bombardimeve pa dallim në Gazë, që kanë vrarë mijëra civilë palestinezë.
“Po fillojnë të humbasin përkrahjen”, tha të martën Presidenti Biden gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh në Uashington. Ai gjithashtu tha se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të ndryshojë qeverinë e tij të vijës së ashpër.
Presidenti Biden tha se Izraeli nuk mund të kundërshtojë shtetin palestinez në të ardhmen, duke shtuar trysninë ndaj autoriteteve izraelite.
Ai përmendi në mënyrë të veçantë politikanin e krahut të djathtë Itamar Ben-Gvir, minister izraelit i sigurisë kombëtare dhe tha se “kjo është qeveria më konservatore në historinë e Izraelit.”
“Netanyahu duhet ta ndryshojë qeverinë. Kjo qeveri në Izrael po i bën gjërat të vështira,” tha Presidenti Biden. Ai tha se Izraeli “nuk mund t’i thotë jo” një shteti palestinez, gjë që kundërshtohet nga izraelitët e vijës së ashpër.
Presidenti Biden tha se “kemi një mundësi ta bashkojmë rajonin… dhe ata ende dua ta bëjnë një gjë të tillë. Por duhet të sigurohemi se Bibi (Netanyahu) e kupton se ai duhet të bëjë përpjekje… Nuk mund t’i thuhet jo shtetit palestinez… Kjo do të jetë pjesa e vështirë.”
Ndërkohë Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan tha se do të diskutojë me zyrtarët izraelitë për afatet e tyre kohore të luftës në Gazë dhe për planin e pasluftës për këtë territor palestinez, gjatë vizitës së tij të radhës në Izrael.
Izraeli është nën trysni të shtuar ndërkombëtare për të bërë më shumë që të kufizojë vdekjet e civilëve palestinezë në Gazë ndërkohë që po synon të shkatërrojë Hamasin.
Sullivan fajësoi grupin militant të Hamasit për shkeljen e armëpushimit me Izraelin, që zgjati nga 24 nëntori deri në 1 dhjetor, duke refuzuar të lironte pengjet.
“Hamasi vazhdon të mbajë peng gra, të moshuar, e civilë të tjerë. Dhe megjithatë ende kërkon që luftimet të ndalen. Ne besojmë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten,” tha Sullivan.
Presidenti Biden të mërkurën pritet të takojë në Shtëpinë e Bardhë anëtarët e familjeve të shtetasve amerikanë të rrëmbyer nga Hamasi pas sulmit të 7 tetorit gjatë të cilit militantët vranë 1200 njerëz në vendbanimet në jug të Izraelit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë të bërë të martën tha se Izraeli vazhdon ta gëzojë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara lidhur me synimin e tij që ta shkatërrojë Hamasin dhe të rikthejë pengjet që mbahen nga grupi militant.
Ai kundërshtoi sërish mundësinë që Autoriteti Palestinez të qeverisë Gazën.
“Dua ta sqaroj pozicionin tim: nuk do ta lejojë Izraelin ta përsërisë gabimin e Oslos,” tha ai pa sqaruar se për çfarë gabimi e ka fjalën.
Duke reaguar për këtë deklaratë të zotit Netanyahu, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës Hussein Al-Sheikh tha se kryeministri izraelit po krahasonte Marrëveshjen e Oslos me masakrën e Hamasit.
“Deklarata e Benjamin Netayahut që barazon Marrëveshjen e Oslos me atë që ndodhi më 7 tetor konfirmon luftën e tij kundër të gjithë palestinezëve,” deklaroi Al-Sheikh. “I them Netanyahut se Oslo vdiq nën gjurmët e tankeve të tij, që pushtuan qytetet tona, fshatrat dhe kampet nga Xhenini deri në Rafah.”
Sulmet izraelite, që shkatërruan pothuaj plotësisht pjesën veriore të Gazës, lanë 18,000 të vrarë dhe zhvendosen rreth 80 për qind të popullatës së Rripit të Gazës, vazhduan edhe gjatë ditës së martë në pjesën jugore të enklavës. Në qytetin kufitar Rafah, një zonë e miratuar për strehim të civilëve, ndërtesa banimi u rrafshuan nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë të paktën 23 të vdekur.
Tre fëmijët e Islam Harbit u vranë në këtë sulm ndërkohë që po strehoheshin në shtëpinë e tyre me nëntë refugjatë të tjerë.
“Katër shtëpi u bombarduan me tre raketa të hedhura nga aeroplanët F16. Nëntë të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazës dhe vajzat e mia binjake Maria e Jude u vranë, edhe djali im i vogël Ammar u vra,” tha ai.
Në pjesën qendrore të Gazës, spitali Al-Aqsa ka konfirmuar 33 viktima nga sulmet ajrore ndaj ndërtesave pranë kampit të refugjatëve Maghazi, në mesin e të cilëve 16 gra dhe katër fëmijë.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një gjest simbolik, që vjen pas kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të rezolutës së mëparshme me peshë ligjore për armëpushim.
Sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, kjo fazë e ofensivës me luftime e ashpra tokësore dhe sulme ajrore mund të zgjasë me javë, ndërkohë që paralajmëroi që ushtria izraelite do të vazhdojë aktivitetet ushtarake me muaj në Gazë.
“Izraeli do të ndërmarrë të gjitha masat për të shkatërruar Hamasin, por ne nuk synojmë të qëndrojmë përgjithmonë në Rripin e Gazës. Po kujdesemi për sigurinë tonë dhe të qytetarëve tanë përgjatë kufijve me Gazën,” deklaroi ministri izraelit Gallant.
Izraeli dhe SHBA-të thonë se armëpushimi i mundëson Hamasit, organizatës së shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, të mbetet në pushtet në Gazë, që do të ishte një fitore për grupin militant që synon shkatërrimin e Izraelit dhe që ekspertët konsiderojnë se ka një bazë të thellë të mbështetjes te palestinezët në Gazë dhe Bregun e pushtuar Perëndimor./voa
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...