Të hënën mblidhet Këshilli i Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.
Në të njëjtën ditë është edhe data e paraqitjes së Berishës para oficerit të policisë gjyqësore, vendim të cilin e ka refuzuar tre herë.
“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, do të zhvillohet në datën 18.12.2023, ora 12.00, në Kryesinë e Kuvendit. (Urdhër nr. 69, datë 12.12.2023, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla)”, sipas njoftimit të Kuvendit.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.
“Me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur ndër të tjera, vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023 ndaj personit nën hetim Sali Berisha, duke u urdhëruar ky i fundit të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00 para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe urdhërimi i këtij shtetasi të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale dhe ndalimi i përdorimit të pasaportës dhe dokumentave të tjera idnetifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.
Duke mos qenë dakort me dy vendimet e mësipërme, nga ana e personit nën hetim dhe mbrojtësve të tij është ushtruar ankim. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, ka vendosur ndër të tjera miratimin e vendimit nr. 112 datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organziuar, të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023 të së njëjtës gjykatë, ndaj ankuesit Sali Berisha.
Referuar proces verbaleve datë 06.11.2023, 20.11.2023 dhe 04.12.2023 të mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore/hetuesi, para të cilit duhet të paraqitej personi nën hetim Sali Berisha, rezulton se ky i fundit, nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur asnjëherë para policisë gjyqësore”, argumenton Prokuroria e Posaçme, duke theksuar se ligji thotë qartë që kur nevojat e sigurimit rëndohen, prokurori mund t’i kërkojë Kuvendit autorizim për zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë tjetër më të rëndë.
Gjatë një konference për shtyp, i pyetur mbi kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës së sigurimit, Berisha tha se respekton vendimin e Kuvendit. Ish-kryeministri theksoi se “me kundërshtimin e vendimit të gjykatës për moszbatimin e masës ‘detyrim paraqitje’ kam mbrojtur parlamentin”.
“Unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim”- tha Berisha, megjithatë nuk dha ndonjë përgjigje nëse do të marr pjesë apo jo në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për të mbrojtur veten. Në përfundim të konferencës për shtyp, Berisha iu drejtua Kuvendit për informacion. Mirëpo në të dalë nga Kuvendi, ish-kryeministri e konsideroi sulmin politik, duke theksuar se përjashtimi për dy muaj nga Parlamenti dhe defakto heqja e mandatit tregon qartë “fazën parapërfundimtare të Ramës për asgjësimin e opozitës në parlament”.
“Ndryshim sipas të cilit, një grup deputetësh i lejojnë vetes, ndërprerjen e përkohshme të mandatit të deputetëve. Përjashtimin për dy muaj dhe defakto heqjen e mandatit, dmth ndalimin e çdo lloj veprimtarie të deputetit. Kjo është faza parapërfundimtare drejt asgjësimit të opozitës në parlament dhe u garantoj se kjo do të shoqërohet me të gjithë përpjekjen e opozitës për rivendosjen e parlamentarizmit, pluralizmit politik në parlament. Vendosmëria është e plotë e palëkundur. Kjo është ajo që mund të ju them sot”, tha Berisha.
Një ditë më parë, pretendimi i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, se SPAK duhet të merrte autorizim nga Kuvendi, për masën e sigurisë ndaj tij, është çmuar i pabazuar në prova.
Në vendimin e zbardhur nga Gjykata e Apelit, gjykata kujton ndryshimet kushtetuese të 2012-ës, për mburojën apo imunitetin e deputetëve dhe konceptin e paprekshmërisë, që në rastin e Berishës nuk është shkelur as nga SPAK dhe as nga shkalla e parë.
Gjykata e Apelit shpjegon se masa e detyrimit me paraqitje, shpallur për Berishën, është një fuqi shtrënguese që nuk heq lirinë personale apo fizike të ankuesit Sali Berisha, por vetëm lirinë e lëvizjes së tij jashtë shtetit./tch
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...
Real Madridi gjen më në fund zëvendësuesin e Toni Kroosit, s...
Magjistralja Ferizaj-Prishtinë vërshohet nga uji
Rama uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë