Përfaqësues të bizneseve në Kosovë tregojnë se produktet vendore gjatë viteve të fundit kanë ngritur cilësinë, duke plotësuar kështu edhe standardet ndërkombëtare të përcaktuara me ligj, shkruan REL.
Së fundi prodhimet e Kosovës kanë arritur të marrinë çmim të lartë ndërkombëtar për cilësi.
Prodhuesi i industrisë së mishrave “MEKA”, është kompania e cila ka fituar çmimin e lartë ndërkombëtar për cilësi nga Business Initiative Directions (BID) me seli në Madrid të Spanjës.
Burim Piraj, pronar i kësaj kompanie, thotë se nuk duhet të dyshohet se produktet vendore nuk janë cilësore.
“Tani e 23 vjet kemi qenë të përqendruar shumë në cilësinë e produkteve tona, por cilësia është një gjë komplekse që nuk mund të arrihet vetëm me dëshirë, por arrihet me punë dhe teknologji. Edhe pse kemi menduar që nuk do të vërehet kjo, kemi ardhur në përfundim që është vërejtur nga një shoqëri internacionale, e cila merret me vlerësimin e cilësisë dhe përfundimisht kemi marrë një trofe të artë”, tregon Piraj.
Përkushtimi i tyre në ngritjen e cilësisë së produkteve, shton Piraj, ka bërë që të ketë rritje të shitjes së produkteve të tyre për 20 për qind në këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Mendoj se ka ardhur koha të ngrihet vetëdija se kosovarët mund të prodhojnë produkte të një cilësie të lartë, dhe se produktet vendore jo vetëm se janë cilësore, ato janë të shijshme, të shëndetshme dhe duhet të konsumohen”, vlerëson Piraj.
Sidoqoftë, bizneset në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Në mungesë të infrastrukturës së nevojshme, shumë herë produktet e tyre nuk mund të jenë konkurrente në treg.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se kompanitë e mëdha prodhuese të huaja që kanë treg në Kosovë, janë aq të fuqishme në marketing e lobim, gjë që, siç shprehet Shahini, po i vendos prodhuesit vendorë në pozitë jo të barabartë.
“Institucionet shtetërore të Kosovës duhet të jenë më të kujdesshme që të krijojnë mundësi për veprim të prodhimit vendor dhe në këtë formë të jenë forcat konkurruese të barabarta karshi importit “, thekson Shahini.
Vlerësimi që po iu bëhet produkteve vendore nga mekanizmat ndërkombëtarë për cilësi të produkteve, shton Shahini, është një fakt që duhet të rritet konsumimi i këtyre produkteve nga qytetarët.
“Konsumatorët kosovarë një kohë të gjatë kanë konsumuar produktet vendore dhe vazhdojnë t’i konsumojnë ato, por ngadalë janë duke i zëvendësuar ato me prodhime vendore. Rritja e konsumimit të produkteve vendore ua kujton edhe prodhuesve vendorë që ta avancojnë produktin e vet”, thotë ai.
Ndryshe, zhvillimi ekonomik i një vendi lidhet ngushtë me zhvillimin e prodhimtarisë. Në rast të rritjes së konsumit të produkteve vendore, rrjedhimisht do të zhvillohet edhe ky sektor.
Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike
Xhaka para duelit me Liverpool-in: E di se si është të luash...
Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit në 4-vjetorin e arre...
Alkent Pozhegu sjell artin e ri me portretet e Harrisit dhe ...
Hoxha: 20% më shumë buxhet se viti i kaluar për Ministrinë e...
Hoteli në Prishtinë vjedh 21,000 euro energji elektrike, KED...