Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet të ngushtë me European Union in Kosovo dhe me mbështetjen e dhënë nga European Endowment For Democracy, OSCE Mission in Kosovo, Kosovo Foundation for Open Society (KFOS), Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, ka ndarë sot Çmimet Vjetore për Gazetari.
Në tetë kategori konkurruese sivjet, fitues të çmimeve u shpallën 12 kolegë.
Çmimi kryesor, “Gazetari/ja i/e Vitit”, u nda pas një gare tejet të ngushtë mes gazetares Alberta Hashani nga “Betimi për Drejtësi” dhe gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi.
Hashani u vlerësua për hulumtimin “Mashtrimet në emër të avokatëve”, i cili tregon se si qytetarët vihen në lajthitje nga persona që nuk janë avokatë, por marrin para nga qytetarët për t’i përfaqësuar në raste gjyqësore.
Krasniqi, u vlerësua për serinë e videove dhe shkrimeve mbi skandalin e VISAMETRIC, që nxiti nisjen e hetimeve e më pas edhe ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria, arrestimin e pronarit të kompanisë si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës duke ua kthyer paratë e mbledhura jashtëligjshëm në duart e qytetarëve, si dhe duke hequr pagesën obligative për aplikuesit tjerë prej majit të këtij viti.
Çmimi për gazetarët më të mirë të vitit, u dorëzua nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport.
Në kategorinë “TV Storja më e mire”, triumfuan gazetarët nga Kallxo.com, Behar Mustafa dhe Valon Fana, të cilët ishin konkurrent të njëri-tjetrit, dhe në një garë të barabartë juria vlerësoi që ata do ta ndajnë çmimin.
Çmimi u nda nga Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Si kameramani më i mirë i vitit u shpall Arben Hoti nga Radio Evropa e Lirë, me pamjet e xhiruara nga protesta e 29 majit, në Zveçan.
Pamjet e kameramanit kosovar u ritransmetuan në mediet ndërkombëtare si CNN, BBC, dhe të tjera. Çmimi u nda nga Ambasadori i German Embassy Pristina, Jörn Rohde.
“Jemi në një geto të vërtetë” – është hulumtim i Aulonë Kadriut, gazetare nga Kosovo 2.0 që triumfoi në kategorinë Ueb Storja më e mirë e viti. Çmimi u nda nga Lura Limani, Drejtore Ekzekutive në Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).
Hulumtimi disa-mujor vë në pah shkeljet e ambasadave të shteteve të Bashkimit Shengen.
Në kategorinë “Çmimi për fuqizimin e gruas” u vlerësua me më së shumti pikë artikulli i Dardan Hotit në bashkautorësi me Aulonë Kadriun, me titull “Nëse dalin videot, unë kam mi hup krejtë”. Ky shkrim flet për abuzimet seksuale përmes pamjeve, avancimin e të drejtave të njeriut, rolin e grave në ndërtimin e paqes por edhe synon vetëdijesimi për rëndësinë e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave. Çmimi u nda nga Vlora Tuzi Nushi – Shefe e UN Women Kosovo.
Në kategorinë “Raportimi më i mirë nga sporti”, ka triumfuar reportazhi i gazetares Vjosa Çerkini të Deutsche Welle, me titull “Të boksosh me politikën”. Reportazhi i dedikohet problemeve të sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare sportive.
Çmimi për raportimin më të mirë rreth anti-gjipsizmit iu dha gazetarëve Besarta Hoti nga Nacionale dhe Herolind Ademi nga Klan Kosova.
Hoti u vlerësua për një seri të storieve që ka realizuar në Prizren, pas një tendence për të ndarë fëmijët në baza etnike shkaku i presionit shoqëror në shkollën “Mati Logoreci”.
Teksa, Ademi, u vlerësua për hulumtimin për zhvillimin dhe format e ndryshme të përdorimit të fëmijëve lëmoshë-kërkues në Kosovë me titull “Në vend të shkollës zgjedhin rrugën – rrëfimet e fëmijëve që punojnë në rrugë”.
Çmimi u nda nga Drejtori i Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, Isak Skenderi.
Për raportimin më të mirë në shëndetësi, u nderua gazetarja e KOHA-s, Saranda Ramaj, me hulumtimin e realizuar për rrezikun që pacientëve kosovarë u kanoset jo vetëm nga sëmundjet për çka kërkojnë ndihmë në spital, por edhe nga infeksionet e pakontrolluara spitalore.
Çmimi u nda nga gazetarja e ABC News,njëherësh anëtare e jurisë, Esiona Konomi.
Aplikimet për Çmimet Vjetore të Gazetarisë këtë vit, u vlerësuan nga juria e përbërë prej: Arbana Xharra, gazetare, Aleksandra Jovanovic,gazetare – RTK2, Esiona Konomi – ABC News, Fatmire Terdevci- Zyra e BE-së në Kosovë, Saranda Selimi – gazetare, Alsat M – dhe fotografi veteran Hazir Reka./Arbresh.info
Muriqi: Me Lituaninë vetëm fitore
Zëdhënësi i Hezbollahut vritet gjatë një sulmi në qendër të ...
Lela: Gjesti mund të ndihet më ‘i vogël’ se Edi
Prezantohen 4 drejtorët e rinj të policisë, Hoxha: Të garant...
Kosova dhe Maqedonia e Veriut me dy pika të përbashkëta kufi...
Agjenda e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe...