Google ADS

BE: Kosova dhe Serbia të zbatojnë pa vonesa marrëveshjen e Ohrit

14:30 | 12 Dhjetor 2023
E.G

Bashkimi Evropian do t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër, duke e shndërruar atë në pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.

Ministrat për çështje evropiane të vendeve të Bashkimit Evropian po diskutojnë të martën për paketën e zgjerimit të bllokut dhe në këtë kuadër pritet miratimi i përfundimeve, për të cilat më vonë gjatë javës do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të vendeve anëtare.

Në pjesën për Kosovën vendin qendror e zënë situata e sigurisë në komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe dhe bisedimet me Serbinë.

“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë sigurinë. Disa veprime të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë, si dhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri kanë rritur edhe më tej tensionet. Këshilli dënon ashpër aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023”, thuhet mes tjerash në projekt përfundime në të cilat theksohet se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë pa parakushte. Po ashtu thuhet aty, serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet që i kanë braktisur dhe ky kthim duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës pas tensioneve në muajit maj duke kërkuar hapa për uljen e tensioneve. Në projekt përfundime thuhet se blloku është u gatshëm t’i heqë masat ndëshkuese nëse “në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave” për shtensionim, duke vlerësuar disa nga hapat e hedhur nga qeveria e Kosovës e cila uli praninë e forcave policore në komunat veriore dhe miratoi bazën ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në dokument thuhet se “Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023”. Kosova dhe Serbia thuhet më tej, duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për uljen e tensioneve, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën nxitëse, ndërsa paralajmërohet se “dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”.

“Këshilli pret që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët”, thuhet në dokument, në të cilin shprehet keqardhje që palët nuk i kanë zbatuar zotimet e marra në marrëveshjen e arritur në shkurt dhe në mars në Bruksel dhe në Ohër.

“Këshilli kërkon nga Kosova dhe Serbia që në tërësi dhe pa vonesa t’i zbatojnë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar projekt-statutin (e Asociacionit) të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekstin e përfundimeve.

Në pjesën për Serbinë, përfshihet thirrja që Komisioni Evropian dhe Shefi i politikës së Jashtme sa më parë, më së voni deri në janar të vitit 2024, të propozojë ndryshimin e kritereve të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok për të përfshirë edhe detyrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur disa herë ditëve të fundit se mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim.

Marrëveshja për të cilën palët u pajtuan me 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, presidenti serb Vuçiç, ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë integrimet evropiane. Të mërkurën udhëheqësit e këtyre vendeve pritet të takohen në Bruksel me drejtuesit e Bashkimit Evropian për të diskutuar rrugën dhe kushtet drejt integrimeve evropiane.

Në projekt përfundimet e Këshillit përgëzohen vendet që kanë harmonizuar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian, ndërsa shpalosen pritjet që “Serbia të shtojë përpjekjet e saj drejt përafrimit të plotë me pozicionet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dhe masat kufizuese, duke përfshirë Rusinë dhe Bjellorusinë, si një çështje me përparësi”.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe ndaj Kosovës, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë./voa/

Të ngjashme