Në draftin e konkluzioneve që pritet të miratohen në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 12 dhjetor, në nivel të ministrave, theksohen disa thirrje drejtuar Kosovës.
Këshilli i BE-së kërkon nga Kosova që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Por, a rrezikohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nëse nuk adresohen gjetjet e raportit të ekspertëve të Këshillit të Evropës në fushën e sundimit të rendit e ligjit?
Anëtarësimi i Kosovës në një institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm, si Këshilli i Evropës, sipas analistit, Artan Muhaxhiri nënkupton respektim të të gjitha kërkesave procedurale dhe harmonizim maksimal të aleancave të pushtetshme politike
Raporti i ekspertëve të KiE-së për fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, sipas Muhaxhirit, ka ndikim shumë të madh orientues, sepse konsiderohet bazë për avancimin kualitativ të aplikimit.
“Edhe nëse ai nuk do të respektohet nga shteti ynë, këtë do ta bëjnë vendet anëtare, gjë që do të rezultojë me efekte të parashikueshme negative”, thotë Muhaxhiri.
Ndërkaq për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifin, Kosova as nuk rrezikon por as nuk mund të avancojë në këtë drejtim.
Arifi ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është puro-politik.
“As nuk rrezikohet dhe as nuk mund ta avancojmë, jo për shkak të arsyeve reale që janë cekur në raportin e Këshillit të Evropës sepse ato janë arsyetime politike, sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare ato janë në hap e sipër, ende nuk e dimë se si do të rrjedh i gjithë dialogu me Serbinë, sepse nuk varet vetëm nga Kosova, kjo është një marrëveshje multilaterale. Pra kjo nuk është indikator dhe matës i mirë për të treguar se a është një vend serioz apo jo. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është puro-politik, gjithçka varet nga rrjedhoja politike dhe jo nga gjendja faktike në terren. Kjo është real politika e cila po luhet dhe tash pritet të krijohet një balanc që Kosova të avancojë më tutje, krejt Kosova çka mund të bëjë është që këtë balanc politike ta ndërtojë me partnerët evropianë dhe amerikanë dhe anëtarësimi i Kosovës mund të bëhet në një periudhë më të shkurtër sesa që pretendojmë”, thotë Arifi.
Ndryshe nga Arifi, profesori universitar, Ngadhnjim Brovina thotë se Kosova po rrezikon anëtarësimin e saj në KiE.
Kjo sipas tij, për shkak të mossundimit të rendit dhe ligjit.
“Kosova rrezikon anëtarësimin në Këshillin e Evropës për shkak të mossundimit të rendit dhe ligjit, kjo për faktin se ndër kriteret kryesore për anëtarësim në këtë organizatë është vetë sundimi i ligjit dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut”, thotë Brovina.
Vendosja e masave ndëshkuese nga BE-ja ndaj Kosovës për ta bindur që të respektojë marrëveshjet me Serbinë dhe përmes të cilave edhe do të shtensionohej situata në veri, Brovina i vlerëson si të padrejta.
Ai vlerëson se BE- ja është treguar e padrejtë ndaj Kosovës sepse është Serbia ajo e cila nuk i respekton marrëveshjet.
“Masat ndëshkuese duhet të ishin vendosur edhe për palën serbe, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë të sponsorizuar nga vetë Serbia. Mirëpo, BE është treguar jokorrekte ndaj Kosovës sepse edhe Serbia është ajo që nuk respekton marrëveshjet, pavarësisht kompromiseve të ndryshme që ka bëtë Kosova për të arritur deri tek këto marrëveshje”, thotë Brovina.
Se BE-ja po tregohet e “njëanshme”, e thotë edhe profesori Arifi.
“Presioni po bëhet të paktën publikisht vetëm ndaj palës kosovare për shtensionimin e situatës, në raportin e BE-së thuhet se do të kritikohet edhe Serbia, por Serbia vetëm kritikohet ndërsa ndaj Kosovës janë marrë masa kufizuese dhe kjo politikë nuk po krijon një balanc normal mes palëve në Ballkan…, hapat konkret sa i përket situatës në veri nuk do të duhej të vareshin vetëm ndaj Kosovës, kjo do të rregullohej vetëm edhe nëse pala tjetër tregohet konstruktive”, tha ai.
Arifi potencon se BE-ja duhet të krijojë balanc mes dy palëve dhe t’i trajtojë në mënyrë të barabartë.
“Serbia po kalon vetëm me një vërejtje me një shkrim por jo me sanksione që do të paralizonte edhe shoqërinë kolektive. Këtu BE-ja po e shikon rastin vetëm në mënyrë të njëanshme. Me vendime reale që e prekin politikën në Serbi dhe mund ta ndryshojnë rrjedhojën politike, pra që të ketë edhe Serbia sanksione reale. BE-ja duhet të jetë më e kujdesshme dhe më e vendosur në këtë rast. Të krijojë balanc mes palëve dhe t’i trajtojë palët e barabarta. Problemi është te trajtimi i çështjeve dhe i shteteve që BE-ja ende nuk ka arritur ta tejkalojë vetveten”, shtoi ai.
Kurse analisti Muhaxhiri thotë se masat ndaj Kosovës kanë inerci.
“Janë dashur bashkëpunime të mëdha për t’i vendosur ato, njëjtë siç do të duhen për t’i larguar. Me pranimin e draftit të Asociacionit, Qeveria ka bërë hapa përpara, që duhen të ndiqen edhe me përshpejtimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore”, tha ai.
Muhaxhiri thekson se presioni ndaj Serbisë do të shtohet në vazhdimësi, pasi as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as vendet e fuqishme të BE-së, nuk kanë kohë për të humbur me populizmat infantilë të kohëve të kaluara.
“Përfshirja e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit në Kapitullin 35 të procesit negociator të Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të jetë goditje vendimtare për zbritjen e saj brutale në realitetin e pashmangshmërisë së pranimit të shtetësisë së Kosovës”.
Këshilli pritet të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023”.
Sa i përket masave që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë progres në përmbushjen e kërkesave./Dukagjini
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...