Google ADS

Vazhdojnë luftimet e ashpra Izrael-Hamas në qytetet kryesore të Gazës

18:07 | 11 Dhjetor 2023
D.H

Forcat izraelite dhe luftëtarët e Hamasit u angazhuan në luftime të ashpra të hënën brenda dhe rreth Khan Younisit në Rripin jugor të Gazës, ndërsa betejat po vazhdonin në qytetin e Gazës në veri.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se shpërndarja e ndihmave në Gazë është ndalur pothuajse plotësisht, me përjashtim të zonës së Rafahut pranë kufirit egjiptian, me luftime intensive dhe kufizime në rrugët kryesore që pengojnë operacionet humanitare.

Luftimet kanë shkaktuar largimin e rreth 1.9 milionë personave nga shtëpitë e tyre në Gazë, shumë prej të cilëve po përpiqen të gjejnë strehim në jug në objekte të mbipopulluara, mes paralajmërimeve për kushte të këqija sanitare dhe kërcënimit për një rritje të rasteve të sëmundjeve ngjitëse. Zyra e OKB-së tha se dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur në Rafah gjatë javës së kaluar.

Ndërkohë, Izraeli ka zgjeruar luftën kundër militantëve të Hamasit në jug, përfshirë operacionet në Khan Younis, qyteti i dytë më i madh në Gazë.

Një delegacion i ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së shkoi të hënën në kufirin mes Egjiptit dhe Gazës për t’u takuar me zyrtarë të ndihmave të OKB-së dhe organizatave humanitare të përfshira në dërgimin e ndihmave.

Franca, Gjermania dhe Italia bënë thirrje të hënën për sanksione të reja të Bashkimit Evropian kundër Hamasit. Ministrat e jashtëm të tre vendeve thanë në një letër drejtuar shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell se sanksionet do të ishin dëshmi e një angazhimi të fortë për të luftuar infrastrukturën dhe mbështetjen financiare të Hamasit. Hamasi konsiderohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si një organizatë terroriste.

Shtetet e Bashkuara shprehën të dielën shqetësimin se ushtria izraelite nuk po bën sa ç’duhet për të mbrojtur civilët.

“Është e domosdoshme që civilët të mbrohen”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një intervistë për CNN-in. Ai tha se Izraeli kishte dështuar në mbrojtjen e civilëve palestinezë ndërsa vazhdon ofensivën kundër militantëve të Hamasit.

“Nuk po shohim periudha të ndërprerjes së luftimeve në mënyrë që të hyjnë më shumë ndihma [humanitare]” në Gazë si edhe vija të përcaktuara qartë të zonave ku Izraeli nuk do të sulmojë, në mënyrë që civilët të mund të gjejnë strehim të sigurt, tha kryediplomati amerikan.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë një mbledhje urgjente të martën për të votuar mbi një projekt-rezolutë që parashikon një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gazë.

Riyad Mansour, ambasadori palestinez në OKB, i tha agjencisë Associated Press se ajo është e ngjashme me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit së cilës SHBA i vuri veton të premten.

Izraeli është angazhuar ta zhdukë Hamasin, pas sulmit të 7 tetorit në Izrael ku gjetën vdekjen rreth 1200 vetë dhe u morën rreth 240 pengje, nga të cilët Hamasi po mban ende 140 persona.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se rreth 18,000 vetë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në shtatë javët e fundit./voa

Të ngjashme