KMLDNJ liston shkeljet e të drejtave të qytetarëve të Kosovës

14:11 | 11 Dhjetor 2023
E.G

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Ditën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet një komunikate e ka cilësuar këtë ditë si të pamundshme për t’u festuar në Kosovë.

Sipas tyre, kjo ndërlidhet me shkeljet e të drejtave të qytetarëve, duke nisur nga rrafshi politik, personal e profesional.

Në komunikatën e dërguar për media, KMLDNJ ka theksuar se pavarësisht dokumenteve të shumta për të drejtat e njeriut, nuk ekzistojnë mundësi praktike të realizohen ato, e që sipas tyre kufizohen nga “situata politike dhe mundësitë materiale”

“Kësaj radhe rastisi që Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut ishte në ditë pushimi (e diele) prandaj edhe deklaratat e politikanëve ishin deklarata të vikendit, thuaja të përgjumura dhe pa asnjë peshë relevante. Realisht, në Kosovë nuk ka asnjë arsye që të festohet kjo ditë por se kalendari i datave detyron protokollin e shtetit që ta shënojnë këtë ditë”, thuhet në komunikatë.

Në aspektin politik sipas KMLDNJ-së, të drejtat e qytetarëve të Kosovës shkelen në mos transparencën e dialogut me Serbinë, ndërhyrjen qeveritare në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në korrupsion, presion ndaj medieve e nepotizëm.

“Në Kosovë është i theksuar diskriminimi në baza etnike si në asnjë vend në Evropë. Qytetarët serbë (dhe pakicat tjera) në veri të Kosovës, që nga përfundimi i luftës nuk paguajnë faturat për rrymë, tatim në pronë, ujë, mbeturina dhe shërbime tjera në ndërkohë që shqiptarët dhe të tjerët për 30 euro borxh dërgohen te përmbaruesi, madje edhe pensionistët dhe kategoritë e përfituesve nga skema sociale”, vazhdon komunikata.

KMLDNJ nuk ka lënë pa përmendur edhe gjykimin e Hagës, duke e cilësuar si mbajtje peng të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe kanë theksuar se të drejtat e tyre shkelen çdo ditë nëpërmjet bastisjeve që iu bëhen familjarëve.

Të ngjashme