Analistët në Serbi vlerësojnë se Presidenti i Serbisë po sillet sikur të mos e kishte pranuar Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se moszbatimi i saj do t’i kushtojë në rrugën e saj drejt BE-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se “për Serbinë nuk vjen në shprehje pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe se për këtë ka njoftuar francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët dhe se të gjithë dinë gjithçka”.
Aleksandar Vuçiq tha se “dy shtete po e shtyjnë fuqishëm këtë iniciativë”, por nuk ka dashur të specifikojë se për cilat shtete bëhet fjalë.
Dyert e mbyllura të BE-së për Serbinë?
Disa diplomatë perëndimorë theksojnë se Serbia po ia mbyll derën anëtarësimit në BE duke kundërshtuar që Marrëveshja e Ohrit të jetë pjesë e kapitullit 35 dhe me lidhur me këtë ka folur edhe kryeministri hungarez Viktor Orban.
Orban tha se “nëse Marrëveshja e Ohrit përfshihet në kornizën e negociatave, pavarësisht kundërshtimit të Serbisë, Beogradi gjithmonë mund të llogarisë në Budapest”.
Gjithashtu në ato deklarata u vu re se për këtë çështje mbizotëron përshtypja e urgjencës, sepse nuk ka përparim në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe kjo urgjencë shpjegohet me nevojën për zgjidhjen e disa gjërave para zgjedhjeve për përbërjen e re të Parlamenti Evropian në qershor 2024.
Normalizimi i marrëdhënieve = njohja e Kosovës
Problemi kryesor kur është fjala për këtë temë është se Aleksandar Vuçiq sillet sikur të mos e kishte pranuar Marrëveshjen e Ohrit, thotë për Deutsche Welle (edicioni në gjuhën serbe) Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane.
“Nëse kjo zyrtarisht do të bëhej pjesë e kapitullit 35, atëherë është e qartë se në të ardhmen do të negociohet modaliteti i njohjes së Kosovës nga Serbia. Nëse bëhet pjesë e kornizës së negociatave, kjo do të thotë gjithashtu se pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën po kërkojnë nga Serbia ta njohë atë. Kjo do të thotë gjithashtu se nëse në fillim të negociatave me BE-në nuk ishte e qartë se çfarë do të thotë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mendoj se tani, dhjetë vjet më vonë, është e qartë si kristali”, thekson Beshiri, transmeton Telegrafi.
Vija e vjetër e kuqe
“Para së gjithash, kontestues është formulimi se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, thekson Igor Novakoviq nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.
“Mendoj se presidenti Vuçiq specifikisht theksoi se bëhet fjalë për hyrjen e mundshme të Kosovës në OKB, pra në institucione të ndërlidhura si UNESCO – për shkak të çështjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë. Nëse i kujtojmë vijat e kuqe, në momentin kur u arritën të dyja marrëveshjet, nga përfaqësuesit e Serbisë u theksua qartë se vija e kuqe ishte hyrja e Kosovës në OKB, kështu që qëndrimi i Serbisë nuk është shumë i ri”, tha Novakoviq për DW, transmeton Telegrafi.
Beshiri thekson se “çdo vit që Serbia e humb me një propozim specifik, çon në një propozim edhe më të keq për vendin. Çdo propozim i mëvonshëm që ishte në tryezë ishte më i keq për Serbinë”, thotë Beshiri dhe shton se deklaratat e presidentit të Serbisë “se si futja e Marrëveshjes së Ohrit në procesin e negociatave do të thotë se BE-ja nuk dëshiron që ne të vazhdojmë deklarata bombastike dhe antievropiane”.
“Kjo do të vazhdojë deri në momentin kur të përballet me faktet, që tregojnë se pothuajse 80 për qind e ekonomisë serbe varet nga BE-ja. Sundimi i Vuçiqit nuk ekziston pa mbështetjen financiare të BE-së. Kjo është një përpjekje për të trembur disa liderë evropianë që ai t’i drejtohet Pekinit ose Moskës, por ky blof nuk funksionon, sepse është e qartë për të gjithë se nuk mund ta ridrejtoni ekonominë tuaj në ndonjë treg tjetër përveç atij që ju rrethon”, vlerëson drejtori i Institutit për Çështje Evropiane.
Igor Novakoviq beson se “pranimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia”, dhe shton se “nëse ndodh realisht, përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit mund të komplikojë integrimin evropian të Serbisë, por tani pyetja është se sa do të ketë pajtim rreth kësaj brenda vetë Bashkimit Evropian.”
Në mënyrë të pamatur kundër BE-së
“Duhet të theksojmë gjithashtu se integrimi evropian i Serbisë nuk ekziston”, thekson Naim Leo Beshiri dhe thotë se “kështu ka qenë në pesë vitet e fundit dhe se nuk ka ndryshim të dukshëm në reformat e Serbisë në rrugën drejt BE-së. Në 11 vitet e fundit, Aleksandar Vuçiq ka treguar se nuk dëshiron të bëjë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit, sepse kjo do të nënkuptonte prerjen e degës në të cilën janë ulur ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Megjithatë, mbështetja e BE-së në Serbi është ende rreth 50 për qind, pavarësisht fushatës së pamatur të elitës në pushtet kundër BE-së, Perëndimit dhe kundër reformave sociale në Serbi”, përfundon drejtori i Institutit për Çështje Evropiane. /Telegrafi/
“Foto e Ditës”, Rama nderon Dëshmorët e Atdheut
Kurti njofton se është hapur tenderi për objektet e banimit ...
Policia rrit masat e sigurisë në tërë Kosovën
Borrell jep paralajmërimin përfundimtar për luftën në Ukrain...
Vullneti ironizon banorët: Publiku e ka kuptuar nga Big Brot...
Alonso kërkon fitoren e tretë radhazi të Leverkusen