Google ADS

Irani s’e lejon familjen e Aminit të udhëtojë për ta pranuar çmimin e BE-së

16:59 | 9 Dhjetor 2023
E.K

Autoritetet në Iran ua kanë ndaluar familjarëve të Mahsa Aminit, vdekja e së cilës në paraburgim policor vitin e kaluar shkaktoi protesta gjithëkombëtare kundër Qeverisë, udhëtimin jashtë vendit për ta pranuar çmimin Sakharov të Bashkimit Evropian (BE).

Dy prindërve dhe vëllait të Aminit u ishte thënë më 8 dhjetor në aeroportin e Teheranit, Iman Khomeini, se e kanë të ndaluar të udhëtojnë jashtë vendit.

Atyre iu konfiskuan pasaportat, tha një burim anonim për Shërbimin Farda të Radios Evropa e Lirë.

Avokati i familjes, Saleh Nikhbakht, i cili po i shoqëronte ata, u lejua të udhëtonte.

Më 19 tetor, Parlamenti Evropian ia ndau çmimin Sakharov 2023 Aminit dhe lëvizjes “Gra, Jetë, Liri”, e cila u formua pas vdekjes së saj.

Nominimi i Aminit dhe lëvizjes është “njohje e përpjekjeve të tyre të guximshme për të kërkuar të drejta për gratë”, tha David McAllister, kryetar i Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian, kur njoftoi për nominimet për këtë çmim më 12 tetor.

“Parlamenti qëndron me të gjithë personat në mbarë botën që dedikojnë jetën e tyre në mbrojtje të vlerave demokratike”, shtoi ai.

Çmimi, i themeluar më 1980 për t’i nderuar individët dhe organizatat që i promovojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përfshin një shumë prej 50.000 eurove.

Çmimi do të ndahet më 13 dhjetor në Strasburg.

Amini, një kurde iraniane, vdiq në paraburgim më 16 shtator 2022, pak pasi ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit, për gjoja shkeljen e ligjit të rreptë të Iranit për veshjen islamike.

Mbështetësit e saj thonë se ajo u abuzua fizikisht në paraburgim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme