Google ADS

BE bie dakord mbi rregullat për përdorimin e inteligjencës artificiale

07:34 | 9 Dhjetor 2023
K.B

Evropa arriti të premten një marrëveshje të përkohshme mbi rregullat e përdorimit të inteligjencës artificiale, përfshirë përdorimin e saj nga qeveritë në shqyrtimin e të dhënave biometrike, si dhe mënyrën e rregullimit të sistemeve të inteligjencës artificiale si ChatGPT.

Me këtë marrëveshje politike, BE-ja duket se po shkon drejt shndërrimit në fuqinë e parë të madhe botërore, që miraton ligje që rregullojnë inteligjencës artificiale. Marrëveshja e së premtes mes vendeve të BE-së dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian, erdhi pas gati 15 orësh negociatash që pasuan një debat pothuajse 24-orësh një ditë më parë.

Palët janë vendosura të përcaktojnë detajet në ditët në vijim, të cilat mund të ndryshojnë formën e ligjit përfundimtar.

Marrëveshja parashikonte masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, kufizim në përdorimin e zbatimit të ligjit të sistemeve të identifikimit biometrik, si dhe ndalime në përdorimin e inteligjencës artificiale për të manipuluar ose shfrytëzuar dobësitë e përdoruesve.

Konsumatorët do të kishin të drejtën të nisnin një proces ankimi dhe të merrnin shpjegime domethënëse, ndërsa gjobat për shkelje do të varionin nga 7.5 në 35 milionë euro.

“Historike! BE-ja bëhet kontinenti i parë që vendos rregulla të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale”, shkruante komisioneri i BE-së Thierry Breton, të premten në rrjetin social X.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se rregullat mbi inteligjencës artificiale do të ofrojnë një kuadër ligjor unik për të zhvilluar teknologji të besueshme, që nuk cënojnë sigurinë dhe të drejtat themelore të njerëzve dhe bizneseve.

Përdorimi i inteligjencës artificiale në shqyrtimin e të dhënave biometrike kishte vënë përballë politikëbërës, që donin ta përdornin atë për qëllime të sigurisë kombëtare e mbrojtjes, me ata ligjvënës të BE-së, që donin t’i ndalonin ato, për shkak të shqetësimeve lidhur me privatësisë.

Qeveritë në mbarë botën po kërkojnë të balancojnë avantazhet e teknologjisë, e cila mund të kryejë biseda të ngjashme me ato që bëjnë njerëzit, t’u përgjigjet pyetjeve dhe të shkruajë kode kompjuterike, me nevojën për të vendosur mure mbrojtëse.

Rregullat ambicioze evropiane mbi inteligjencën artificiale vijnë pasi kompani si OpenAI, në të cilën kanë investuar kompani si Microsoft-i, vazhdojnë të bëjnë zbulime të reja mbi mënyrën e përdorimit të kësaj teknologjie, që kanë nxitur si vlerësime ashtu edhe shqetësime./VOA

Të ngjashme