Në testin “PISA 2022” Kosova ka performuar me rezultate shumë të dobëta krahasuar edhe me testimin paraprak, ndërkaq ekspertë dhe zyrtarë arsimorë shprehin shqetësim për qasjen mekanike në mësimnxënie.
Njohësit e arsimit, kanë bërë thirrje për ndryshim në metodologjinë e mësimdhënies dhe integrimin e programeve të veçanta për zhvillimin e aftësive
Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Vendi ynë ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Arbresh.info u shpreh se lajmi për rezultatet e testit të PISA-s, nuk e ka gëzuar askënd.
Sipas tij, nuk është koha që të drejtohet gishti nga askush, por të gjithë së bashku duhet të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që të ndryshohet gjendja në arsim.
“Lajmi i djeshëm besoj nuk e ka gëzuar askënd edhe të gjithë të punësuarit në arsim ndihen keq, unë mendoj se nuk duhet bëhet gisht nga ndonjëra palë, duhet të angazhohemi. Uroj që Nagavci t’i thërras të gjithë palët sa më shpejtë, akademinë e shkencave, ekspertët e arsimit, SBASHKU-n, përfaqësuesit e prindërve, të ulemi të punojmë bashkë për të ndryshuar gjendjen në arsim”, tha Jasharaj.
Po ashti, sipas Jasharajt, testi PISA nuk duhet të na zhgënjejë në tërësi, pasi sipas tij, është vetëm një instrument.
“Testi PISA nuk duhet të na zhgënjej në tërësi sepse është vetëm një instrument. Kam bindjen e fuqishme duke vizituar edhe shkollat dhe duke e njohur sistemin arsimor, se qeveria Kurti duhet të ndajë shumë më tepër mjete për arsimin në mënyrë që shkollat tonë të pajisen me mjete shkollore të shekullit 21”, theksoi ai.
Tutje, ai thotë se punëtorët e arsimit nuk kanë faj, por shton se nuk mund të zhvillohet një betejë e mirëfilltë në sistemin arsimor me kushtet që i posedojnë.
“Jo për t’i mbrojtur punëtorët e arsimit, por e vërteta është se me shkumëz e shpuzë e me mjete shkollore të cilat sivjet edhe u vonuan nuk mund të zhvillohet e betejë e mirëfilltë për suksese të larta në sistemin arsimor, shkollës duhet t’i ndihmohet, mësimdhënësve duhet tu dërgohen inspektorët profesional për t’i parë nga afër, dhe bashkërisht do ta gjejmë një rrugë e cila do të na sjell rezultate shumë më të mira nga këto që janë tani”, tha kreu i SBASHKU-t.
Jasharaj përmes Arbresh.info u bëri apel ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti që të ndajnë më shumë mjetë për arsim.
“I bëj përmes medias juaj apel që Nagavci të i bashkoj të gjitha palët, Kurtit apel që të ndaj shumë më tepër mjete, sepse kështu shumë më vështirë mund të arrijmë suksese”, përfundoi Jasharaj.
Ndërkohë, gazetarja dhe njohësja e arsimit, Salie Osmankaq nuk është e befasuar nga rezultati i PISA-s, duke shtuar se e njeh sistemim e arsimit në Kosovë.
Sipas saj, është mungesë e investimeve të duhura në shkolla, numri i madh i nxënësve në klasa.
“Rezultatet e PISA nga testimi i fundit, nuk është befasues për dikë që e njeh mirë sistemin arsimor të Kosovës, ku problemet janë shumëdimensionale. Është mungesa e investimeve të duhura në shkolla;: mbingarkesa e klasave me deri në 40 nxënës, sidomos në shkollat e qyteteve, ku në ndarje proporcionale i bie që brenda një ore të mësimit, një nxënësi nuk mund t’i jepet më shumë se 1 minutë kohë për t’u shprehur, për të bërë pyetje, ose për të diskutuar lidhur me njësinë mësimore”, u shpreh Osmankaq.
Sipas saj efekt negativ ka dhënë edhe pandemia Covid-19
Pastaj, efekt tejet negative ka dhënë edhe pandemia, ku gati për dy vite mësimi është mbajtur thuajse formalisht. Pasoja, patjetërsueshëm lënë edhe librat shkollor, përmbajtja e të cilave le për te dëshiruar”, theksoi ajo.
Si faktor tjetër që ka ndikuar, Osmankaq tha se është edhe mësimdhënia nga individë e jo meritorious për këtë profesion e mision,
“E pastaj, shto këtu edhe mësimdhënien nga individë jo meritorious për këtë profesion e mision, marre parasysh se konkurset për punësimin e mësimdhënësve çdo vit përcillen me shkelje të panumërta nga ana e Komunave”, tha ajo gjatë një prononcimi për Arbresh.info
Osmani: Arsimi që nga paslufta është shfrytëzuar nga partitë politike për dy arsye
Rezultatin e testit PISA, njohësi i arsimit, Argjend Osmani ia dedikon si dështim Qeverisë së Kosovës.
Osmani, po ashtu thekson se përkundër ndërrimit të partive politike në pushtet, deri më tani nuk është se ka pasur ndonjë rezultat në këtë fushë.
“Rezultatet e publikuara nga PISA kanë shpërfaqur dështimin e plotë të qeverisë në fushën e arsimit. Për fat të keq, përkundër ndërrimit të partive politike në qeverisje të vendit, deri më tash nuk është arritur që të kemi një mobilizim shoqëror dhe investime serioze në fushën e arsimit”, tha ai për Arbresh.info
Osmani thotë se arsimi si fushë që nga çlirimi i Kosovës e deri më sot është shfrytëzuar nga partitë politike për dy arsye.
“ Kështu, arsimi prej çlirimit e deri më sot, nga partitë politike, është shfrytëzuar për dy arsye primare: Për të mbledhur vota dhe për të përfituar materialisht e politikisht nga ky sistem”, u shpreh Osmani.
Tutje, ai shtoi se duhet investuar vlera të konsiderueshme të mjeteve në ngritjen e kapaciteteve njerëzore
“Për të gjetur zgjidhje duhet mobilizim i përgjithshëm kombëtar duke e shpallur fushën e arsimit me prioritet të lartë, duke investuar vlera të konsiderueshme të mjeteve në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, përmirësim të infrastrukturës, kurikulë, aplikim efekti të Teknologjisë informative për qëllime edukative, mjete mësimore, etj”, theksoi ai.
Sipas tij, përderisa nuk ka një qasje të tillë zhvillimore dhe mendësi progresive vendi ynë kurrë nuk do të përjetojë zhvillim të mirëfilltë në këtë fushë, dhe si rezultat do të mbetet në fund të listës në testin PISA.
“Përderisa nuk kemi qasje të tillë zhvillimore dhe mendësi progresive vendi ynë kurrë nuk do të përjetojë zhvillim të mirëfilltë në këtë fushë, e si rezultat do të mbetet edhe më tutje në fund të listës për nga cilësia e arsimit që e ofron”, përfundoi ai.
Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.
Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë
Reagime të shumta ka pasur pas rezultateve të dobëta të Kosovës në testin PISA.
Për Ministrinë e Arsimit, opozitën e organizatat që merren me cilësinë në arsim këto rezultate kanë qenë të pritshme.
Ishte vet Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ajo që tha se “nuk janë befasuar nga këto rezultate”.
Nagavci është shprehur se ky cikël i testimit është organizuar në periudhën menjëherë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me shumë vështirësi në Kosovë.
“Në testin PISA 2022, nga Kosova kanë marr pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënës nga 229 shkolla. Rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit që u organizua në pranverë të vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvillua me vështirësi të madha nga distanca dhe me ndërprerje”.
“Ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare, është konstatuar se për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pësuar rënie në të nxënë dhe këto janë dëshmuar në testime të ndryshme”, ka deklaruar ministrja në një konferencë për media.
As Shqipëria nuk qëndron më mirë sa i përket rezultateve.
Si Shqipëria dhe Kosova renditen në fund të tabelës, duke u renditur më keq nga vendet e rajonit, por edhe nga vendet e tjera.
Testi PISA, fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në 2021, por u vonua me një vit për shkak të pandemisë COVID-19. /Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...