Presidenti rus Vladimir Putin po viziton Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shpresuar të sigurojë mbështetjen në Lindjen e Mesme të dy prodhuesve kryesorë të naftës aleatë me SHBA-në, ndërsa Rusia vazhdon luftën ndaj Ukrainës.
Presidenti rus arriti të mërkurën në kryeqytetin e Emirateve, Abu Dhabi, ku po mbahet konferenca e klimës COP28 e Kombeve të Bashkuara. Është hera e parë që ai viziton rajonin që para pandemisë së koronavirusit dhe luftës, si edhe që kur u lëshua urdhri i arrestit ndaj tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
As Arabia Saudite dhe as Emiratet e Bashkuara Arabe nuk e kanë nënshkruar traktatin për themelimin e ICC-së, që do të thotë se ata nuk kanë ndonjë detyrim për ta ndaluar presidentin Putin lidhur me urdhër-arrestin që e akuzon atë si personalisht përgjegjës për rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina gjatë luftës.
Zoti Putin anashkaloi një takim të nivelit të lartë në Afrikën e Jugut për shkak të shqetësimeve se mund të arrestohej kur të mbërrinte atje. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai u prit në aeroport nga Ministri i Jashtëm Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
“Jam i lumtur që ju takoj përsëri”, i tha presidentit Putin, kreu i vendit Sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan teksa e priste atë në pallatin Qasr al-Watan të Abu Dhabit.
Katër avionë luftarakë rusë Sukhoi Su-35 shoqëruan avionin e presidentit Putin në fluturimin për në Emirate, njoftuan mediat shtetërore ruse.
Pritja madhështore që iu bë presidentit rus nga Emiratet, një vend që mbështetet tek SHBA si partneri i saj kryesor i sigurisë, nxjerr në pah lidhjet e ngushta të biznesit të Emirateve të Bashkuara Arabe me Rusinë, që janë intensifikuar pas sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Ukrainasit që po marrin pjesë në konferencën për klimën, shprehën indinjatën që presidenti Putin po vizitonte vendin në të njëjtën kohë kur ata po e akuzojnë për krime ndaj mjedisit në vendin e tyre.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh se si bota i trajton kriminelët e luftës, sepse i tillë është ai për mendimin tim”, tha Marharyta Bohdanova, një pjesëmarrëse në pavijonin ukrainas në COP28, duke fshirë lotët.
“Ta trajtosh atë si një mik të dashur, është thjesht hipokrizi për mendimin tim”, tha ajo.
I dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry dhe administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, bënë një vizitë në pavjonin e Ukrainës në COP28 përpara një konference shtypi të mërkurën pasdite.
Presidenti Putin vizitoi për herë të fundit Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2019. Por bota ka ndryshuar shumë që atëherë, përfshirë përvojën me pandeminë e koronavirusit dhe agresionin ndaj Ukrainës që filloi në shkurt 2022.
Ndërkohë, lufta Izrael-Hamas mbetet një shqetësim i madh për Lindjen e Mesme, veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat arritën një marrëveshje për njohje reciproke diplomatike me Izraelin në vitin 2020.
Sulmet e fundit nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kërcënojnë gjithashtu transportin tregtar në Detin e Kuq ndërsa programi bërthamor i Iranit vazhdon të përparojë me shpejtësi që kur marrëveshja bërthamore e vitit 2016 dështoi.
Presidenti Putin pritet të takohet me presidentin iranian Ebrahim Raisi të enjten “për bisedime të zgjeruara”, siç i cilësoi këshilltari i tij, Yury Ushakov.
Zoti Putin do të udhëtojë edhe drejt Arabisë Saudite dhe do të takohet me princin e fuqishëm të kurorës Mohammed bin Salman, tha zoti Ushakov.
Këto diskutime ka të ngjarë të përqendrohen tek çështja tjetër kryesore e Moskës në Lindjen e Mesme – ajo e naftës./voa
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...