Google ADS

Luftimet e ashpra në Gazë pamundësojnë furnizimin me ndihma

10:18 | 6 Dhjetor 2023
E.K

Forcat Izraelite i vazhduan luftimet e ashpra me luftëtarët e Hamasit – i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – nëpër Rripin e Gazës të mërkurën, pasi e kanë zgjeruar ofensivën tokësore në qytetin e dytë më të madh të kësaj enklave, duke e tkurrur vendin ku palestinezët mund të kërkojnë strehim dhe duke e pamundësuar fuqizimin me ndihma jetike nëpër shumicën e vendit.

Ofensiva në jug kërcënon të shkaktojë zhvendosje të madhe të njerëzve brenda enklavës së rrethuar bregdetare, ku Kombet e Bashkuara thonë se 1.87 milion njerëz – rreth 80% e popullsisë – kanë ikur nga shtëpitë e veta tashmë.

Shumica e veriut, përfshirë pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës, është shkatërruar plotësisht, dhe palestinezët kanë frikë se edhe pjesa tjetër e Gazës mund ta përjetojë fatin e njëjtë.

Izraeli thotë se i duhet patjetër ta rrëzojë Hamasin nga pushteti për ta parandaluar përsëritjen e sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, ku Hamasi dhe militantët e tjerë i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i morën 240 pengje.

Më shumë se 100 pengje janë liruar tashmë gjatë armëpushimit njëjavor, ndërsa Izraeli i liroi 240 të burgosur palestinezë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të mbajë kontroll të pakufizuar të sigurisë në Rripin e Gazës, megjithëse kjo është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Në tri ditët e fundit, furnizimi me ndihma – kryesisht miell dhe ujë – ka qenë i mundur vetëm brenda dhe përreth qytetit kufitar, Rafah, në skajin jugor të Gazës, për shkak të luftimeve dhe mbylljes së rrugëve nga forcat izraelite, sipas OKB-së.

Gaza ka mbetur pa rrymë prej fillimit të tetorit, ndërsa Izraeli ka kufizuar skajshëm importin e karburantit, duke i detyruar disa spitale të mbyllen, sepse ato kanë mbetur edhe pa gjeneratorët emergjentë.

Lufta i ka vrarë më shumë se 16.200 njerëz në Gazë – 70 për qind gra dhe fëmijë – dhe i ka plagosur mbi 42.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së këtij territori, e cila i publikoi të dhënat e reja të martën.

Ushtria e Izraelit e akuzon Hamasin se po i përdor civilët si mburoja njerëzore gjatë operacioneve të luftëtarëve të vet në zonat e banimit./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme