Përfaqësuesit e forcave opozitare nga Serbia, dy javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në atë vend, e intensifikuan fushatën e tyre në Kosovë.
Forcat e ndryshme të djathta dhe pro-evropiane bien dakord kryesisht për sfidimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe për kursin politik që ka marrë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këtë çështje.
Mirëpo, mesazhet e opozitës dominohen edhe nga ato që kanë të bëjnë me përpjekjet për t’i inkurajuar qytetarët që të dalin në qendrat e votimit, ose siç tha nga Graçanica bartësi i listës “Serbia kundër dhunës”, Mirosllav Alleksiq, “më 17 dhjetor edhe ata [serbët e Kosovës] zgjedhin qeverinë”.
Dhjetë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Serbisë nga lista “Serbia kundër dhunës” vizituan më 4 dhjetor Graçanicën – njërën nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – ku, siç thanë, u është dashur të bisedojnë me banorët vendas. Prej atje, ata shkuan në Mitrovicën e Veriut – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Qytetarët nga këtu [Kosova] duhet t’i dërgojnë mesazh Aleksandar Vuçiqit [presidentit të Serbisë] dhe Listës Serbe se nuk e kanë më mbështetjen e tyre”, tha mes tjerash Alleksiq.
Lista Serbe u përgjigj duke thënë se Alleksiq dhe kandidatët e tjerë për deputetë të listës “Serbia kundër dhunës” janë duke shkaktuar “përçarje mes serbëve në këto zona”.
“Megjithatë, më pak se dy javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, kur serbët nga Kosova dhe Metohia do të tregojnë edhe një herë se i besojnë vetëm presidentit Vuçiq. Me votën e tyre, ata do të tregojnë se duan që Serbia të vazhdojë të forcohet, sepse kjo do të thotë siguri dhe mbijetesë e serbëve në këto zona”, tha Lista Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila u udhëhoq nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deri në maj të këtij viti.
Edhe pse zyrtarisht nuk është në krye të saj, Vuçiq është duke e udhëhequr aktivisht fushatën e SNS-së për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.
SNS-ja mori pushtetin në Serbi në vitin 2012 dhe, deri më tani, kishte mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës në zgjedhje.
Më 17 dhjetor, serbët nga Kosova do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në qytetet e Serbisë, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk lejoi hapjen e vendvotimeve në zonat me shumicë serbe në Kosovë.
Çfarë thonë qytetarët?
Zhivka Saviq nga Graçanica beson se serbët e Kosovës duhet ta ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë, më 17 dhjetor, sepse “kështu mund të ruhen institucionet e Serbisë në Kosovë”.
“Për hir të mbijetesës sonë këtu, për të ardhmen e nipërve tanë, të paktën që ata të jenë mirë”, thotë Saviq për Radion Evropa e Lirë.
Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucionet serbe të shëndetësisë, arsimit dhe të tjera.
Në postet udhëheqëse në këto institucione janë kryesisht zyrtarë të Listës Serbe, praktikisht kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, është shef i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut.
Aleksandar Milliq nga Graçanica beson, po ashtu, se serbët nga Kosova duhet ta ushtrojnë të drejtën e votës më 17 dhjetor.
“Nuk ka rëndësi kë e mbështesni, por nëse e keni të drejtën e votës, votoni”, thotë ai.
Sasha nga Leposaviqi beson se zgjedhjet e ardhshme në Serbi nuk do të sjellin asgjë të re apo të ardhme më të mirë për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë dhe, për këtë arsye, thotë se ka vendosur të mos votojë.
“Do të dilja në zgjedhjet lokale në Kosovë. Aty vendosim për të ardhmen tonë, për njerëzit që do të na udhëheqin”, thotë Sasha.
Aktualisht, në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë kryetarë shqiptarë, për shkak se serbët i bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në prill.
“Nuk më shkon mendja të dal në zgjedhje [për Kuvendin e Serbisë]”, thotë Dejani, po ashtu nga Leposaviqi, dhe shton se një vendim të tillë e ka marrë për shkak të moshapjes së vendvotimeve në Kosovë.
“Këtu kam lindur, kam në plan të jetoj këtu, si mund të votoj në Rashkë?”, pyet ai.
Pse serbët e Kosovës votojnë në Serbi?
Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi një letër kreut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, ku tha se për hapjen e vendvotimeve për zgjedhjet serbe në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”, tha Kurti dhe shtoi se “çdo kërkesë duhet të bazohet në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”.
Më pas, më 1 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”, sipas tij.
Sipas vendimit të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qytetet kufitare të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin. Ata votuan në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit, 2022.
Zgjedhjet e fundit parlamentare të organizuara nga Serbia për komunitetin serb në Kosovë u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.
Ato zgjedhje u mbajtën sipas praktikës së mëparshme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë i mblodhi votat. Më pas, votat u numëruan në Rashkë dhe Vranjë – dy qytete kufitare në Serbi.
Kjo praktikë u krijua në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e lejuan deri vitin e kaluar. Atëkohë, Qeveria e Kosovës kërkoi që Serbia t’iu dërgojë kërkesë të drejtpërdrejtë autoriteteve për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Çfarë mesazhesh u dërgohen serbëve në Kosovë?
Kandidatët për deputetë të “Serbisë kundër dhunës” thanë se janë të gatshëm të negociojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por se “nuk do ta pranojmë kurrë pavarësinë e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”.
Në këtë kontekst, Alleksiq tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar vetë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkurt të këtij viti dhe aneksin e zbatimit të saj në mes të marsit.
“Shteti i Serbisë nuk u angazhua [për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën], Aleksandar Vuçiq u angazhua, ai vetë. Unë e kam thënë: çdo marrëveshje që parasheh anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, nuk është dhe nuk mund të jetë e pranueshme për Serbinë”, u shpreh Alleksiq.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parasheh, ndër të tjera, respektimin e ndërsjellë të integritetit territorial dhe njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.
Serbia, gjithashtu, duhet të angazhohet që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Përndryshe, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe vetë Vuçiq deklaroi disa herë se nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Në fund të nëntorit, ai tha se opozita serbe dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë të njëjtin synim – “zëvendësimin e Vuçiqit”.
Përveç kandidatëve nga lista “Serbia kundër dhunës”, në fund të nëntorit në Kosovë ishte edhe kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq.
Partia e tij merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi si pjesë e koalicionit NADA, që mbron bashkëpunimin me BE-në, por jo domosdoshmërisht – pra jo, nëse njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht për një gjë të tillë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Jovanoviq vizitoi, mes tjerash, dy komunat me shumicë serbe: Graçanicën dhe Shtërpcën.
Edhe Millica Gjurgjeviq Stamenkoviski, nga partia serbe Zavetnici, postoi në rrjetin social X një fotografi të sajën, duke thënë se është në Kosovë, bashkë me mesazhin se “ka hyrë nëpër pyll”, sepse “për vite me radhë i është bllokuar hyrja” nëpër vendkalimet zyrtare. Megjithatë, në fotografi nuk mund të shihej qartë nëse realisht ndodhej në territorin e Kosovës.
Ajo është në listën e kandidatëve “Tubimi Kombëtar”, ku bën pjesë edhe Lëvizja e djathtë serbe, Dveri.
A mund ta kërcënojë opozita aktuale serbe SNS-në në Kosovë?
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, Miodrag Milliqeviq, thotë se serbët nga Kosova janë të “zhgënjyer” me politikën e Beogradit zyrtar dhe se është e vështirë të motivohen për të dalë në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
…disponimi në mesin e serbëve në Kosovë ka ndryshuar absolutisht si ndaj Listës Serbe, ashtu edhe ndaj [Aleksandr] Vuçiqit pas [sulmit në] Banjskë”.
Sipas tij, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë nuk kanë sa duhet njohuri për programet që ofrojnë partitë nga Serbia, por ai shton se rënia e popullaritetit të SNS-së është evidente.
“Përsëri, është shumë e vështirë të bëhet një projeksion real sa i përket elektoratit nga Kosova, sepse ne kemi qenë dëshmitarë në të gjitha zgjedhjet e kaluara… SNS-ja është shumë mirë e organizuar dhe, me siguri, do të insistojë që në zgjedhje të shkohet në mënyrë të organizuar”, thotë Milliqeviq.
Por, Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se lista zgjedhore “Serbia kundër dhunës” ka treguar se mund të bisedojë me serbët e Kosovës në terren, ndryshe nga SNS-ja.
“Është një moment i rëndësishëm që do të ndikojë te votuesit që nuk jetojnë në Kosovë, por që janë me origjinë nga Kosova. Së dyti, disponimi në mesin e serbëve në Kosovë ka ndryshuar absolutisht si ndaj Listës Serbe, ashtu edhe ndaj [Aleksandr] Vuçiqit pas [sulmit në] Banjskë. Nuk ka dyshim për këtë, por numri i votave është çështje tjetër”, thotë Janjiq.
Ai thekson se mesazhi më i rëndësishëm për serbët nga Kosova është që ta ushtrojnë të drejtën e votës më 17 dhjetor, në mënyrë që të mos ketë manipulime të mundshme.
“ProGlas” në Kosovë
Të dielën, më 3 dhjetor, disa nga nismëtarët e “ProGlas”-it, shkrimtari dhe botuesi Gojko Bozhoviq dhe profesori në Universitetin e Beogradit, Miodrag Jovanoviq, qëndruan në Mitrovicë të Veriut.
Në tribunën atje, ata thanë se opinioni di pak për problemet reale të serbëve të Kosovës, se zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe se ata duhet të ndikojnë në vendimet që kanë të bëjnë me jetën e tyre.
“ProGlas” është iniciativë e një grupi personash publikë në Serbi, të cilët po përpiqen të nxisin pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Disa nga nënshkruesit e kësaj nisme janë aktori dhe regjisori Dragan Bjellogërlliq, gjyqtari Miodrag Majiq, akademiku Vlladimir Kostiq e të tjerë.
Nënshkruesit e “ProGlas”-it kanë qëndrim kritik ndaj politikës aktuale të Partisë Përparimtare Serbe dhe besojnë se “është e nevojshme që të rivendosen rendi demokratik, institucionet ligjore dhe politike, fryma e diskutimit të lirë dhe kritik, ku njerëzit do të marrin pjesë pa frikën e pasojave”.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...