Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e aktorit të madh shqiptar, Mirush Kabashi.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti shkruan se e marta nisi me lajm pikëllues për vdekjen e të madhit Kabashi, raporton Arbresh.info.
“Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë. Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në shesh-xhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori”, shkruan Kurti.
I pari i Qeverisë, ka përmendur edhe rolet e suksesshme të aktorit të madh shqiptar.
“Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente. Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!”, shkruan Kurti
Shefi i Qeverisë nuk la pa përmendur se prejardhja e Kabashit ishte nga Gjakova.
“I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.”, thekson ai
Kurti u shprehi ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin./Arbresh.info/
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...