Kosova, vend transiti për punëtorët aziatikë

23:21 | 3 Dhjetor 2023
E.G

Kompania ndërtimore “Dino” nga Lipjani kishte rekrutuar njëmbëdhjetë punëtorë nga Bangladeshi, për ta zëvendësuar mungesën e fuqisë punëtore. Por, ata qëndruan vetëm një ditë dhe “u zhdukën”.

Lulzim Sllamniku, nga zyra ligjore e kësaj kompanie, thotë se këta punëtorë parashihej të merrnin pagë deri në 500 euro në muaj, ndërsa të siguruar kishin edhe strehimin.

“Nuk kemi asnjë informacion se ku kanë shkuar. Të nesërmen kur ka shkuar shoferi për t’i marrë për t’i dërguar në destinacionin e caktuar për punë, ata nuk janë paraqitur”, thotë Sllamniku për Radion Evropa e Lirë.

Sllamniku shton se, kohëve të fundit, kjo kompani që numëron 150 punëtorë, është interesuar edhe për punëtorë të tjerë.

Ai thotë se është në kërkim të rekrutimit edhe të 20 të tjerëve, por tashmë nga Turqia apo vendet e rajonit.

“Sigurisht që jemi të interesuar t’i rekrutojmë punëtorët nga vendet që kanë stabilitet ekonomik”, thotë ai.

Muajve të fundit në Kosovë është rritur si kërkesa për punëtorë të huaj, ashtu edhe numri i tyre.

Arsyet lidhen me mungesën e punëtorëve vendas. Interesimi i tyre për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye, përfshirë orarin e stërzgjatur të punës, pagat e ulëta, mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë e të tjera, sipas Inspektoratit të Punës.

Për rrjedhojë, kompanitë kosovare kërkojnë punëtorë nga jashtë, përfshirë shtetet aziatike dhe Turqinë.

Kompania “Liri” në Prizren, nga muaji gusht, ka punësuar dhjetë punëtorë nga Bangladeshi dhe është në proces të rekrutimit edhe të 20 të tjerëve

Arben Tërshnjaku, menaxher në këtë kompani, tregon se punëtorët nga Bangladeshi tashmë janë ambientuar. Sipas tij, komunikimi me ta fillimisht ka qenë i vështirë, pasi nuk e flisnin gjuhën angleze.

“Shihet një mungesë e kuadrove të kualifikuara dhe, normalisht, bizneset gjithmonë bëjnë zgjidhje duke kërkuar [punëtorë] edhe jashtë shtetit”, thotë Tërshnjaku.

Edhe disa përfaqësues kompanish të tjera pranojnë se kanë të punësuar punëtorë nga Azia, por nuk duan të identifikohen, e të tjerë thonë se kanë pasur të punësuar punëtorë të huaj, por se ata janë larguar pas disa javësh.

Gastronomia dhe ndërtimtaria janë sektorët ku ka më se shumti kërkesa për punëtorë.

Kërkesat e tilla, kompanitë kosovare i adresojnë në agjenci të ndërmjetësimit.

Ramiz Ismaili, menaxher në agjencinë Elite Global Services (EGS), thotë se mundësia e largimit të të rinjve nga Kosova pas liberalizimit të vizave, i ka “frikësuar” pronarët e bizneseve, të cilët kanë filluar të sigurojnë punëtorë për fillimin e vitit të ardhshëm.

“Ka jashtëzakonisht shumë të interesuar. Kemi marrëveshje me dy kompani që si kërkesë fillestare e kanë rreth 150 numrin e punëtorëve që dëshirojnë t’i rekrutojnë”, thotë Ismaili.

Kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në vendet evropiane nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Megjithatë, udhëtimet e tilla duhet të shërbejnë vetëm për vizita turistike apo çështje familjare, dhe nuk nënkuptojnë assesi leje pune ose përfitime të tjera.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, nga janari deri në tetor të këtij viti janë paraqitur 3.524 kërkesa për leje qëndrimi për qëllime pune në Kosovë. Prej tyre, 2.444 janë aprovuar.

Prijnë shtetasit e Turqisë, pasuar nga Serbia dhe Bangladeshi.

Megjithatë, në Odën Ekonomike të Kosovës e cilësojnë si eksperiment të rrezikshëm sjelljen e punëtoreve të huaj në Kosovë.

Lulzim Rafuna, kryetar i kësaj ode, thotë se në tregun e punës ka mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, por se rekrutimi i punëtorëve aziatikë nuk është zgjidhje. Sipas tij, ata e shfrytëzojnë Kosovën si trampolinë për të arritur në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Përveçse është një investim në kuptimin e shpenzimeve që kanë bizneset për t’i sjellë këta punëtorë nga jashtë në Kosovë, është edhe pasiguria se ata do të qëndrojnë në një kohë aq sa e kanë në Kosovë… Shumica prej tyre, nuk vijnë me tendencën për të qëndruar dhe punuar në Kosovë”, thotë Rafuna.

Në Kosovë, ku papunësia është rreth 12 për qind, sektori privat llogaritet si punëdhënësi më i madh, me më shumë se 300 mijë punëtorë.

Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 470 euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme