Në vitin 1999 ka ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Për 78 ditë me radhë, NATO-ja ka bombarduar caqet e ushtrisë së atëhershme serbe. Pas tërheqjes së saj nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja ka zbarkuar me misionin e saj paqeruajtës KFOR, të përbërë prej më shumë se 50.000 ushtarësh.
“Ne do të krijojmë një prani ushtarake, e cila do të garantojë mjedis të sigurt për kthimin e të gjithë refugjatëve dhe për të gjithë ata që janë të pastrehë brenda vetë Kosovës… Ne do të merremi direkt dhe me vendosmëri me secilin që përpiqet të na pengojë në arritjen e kësaj”, ka thënë atëkohë komandanti i NATO-s për Kosovën, Michael Jackson.
Që atëherë, KFOR-i është zvogëluar në pak më shumë se 3.700 ushtarë vitin e kaluar. Sot numëron mbi 4.600. Trupat janë shtuar këtë vit, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Aleanca ka dërguar qindra forca shtesë pas trazirave që ka shkaktuar instalimi i kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri – me ç’rast janë plagosur edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it – si dhe pas incidentit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.
Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend. Kosova ka fajësuar aparatin shtetëror të Serbisë për sulmin, ndërsa Serbia serbët në Kosovë. Millan Radoiçiq që e ka marrë përgjegjësinë, vazhdon të jetë i lirë në Beograd.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar fillimisht në Prishtinë, gjatë një vizite më 20 nëntor, se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.
Këtë javë, në margjina të një takimi të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg ka përsëritur se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për ta ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe se për këtë arsye do të diskutojë për shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në rajon.
“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje [e trupave] duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke shtuar numrin e trupave tona”, ka thënë Stoltenberg.
Këtyre shqetësimeve u kanë bërë jehonë po këtë javë edhe Shtetet e Bashkuara. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ka paralajmëruar si Kosovën, ashtu edhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës, do të nënkuptonte përballje me NATO-n.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA-ja nuk do rikthim të konflikteve në Ballkan.
“NATO-ja është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë ta destabilizojnë veriun e Kosovës. Ne kemi dislokuar trupa shtesë në KFOR. Po ashtu, kemi thelluar bashkëpunimin me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Blinken.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, diplomacia perëndimore është duke u bërë trysni Kosovës dhe Serbisë për ta përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Nga Prishtina kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Beogradi njohjen de facto të Kosovës.
Në këtë frymë e komenton edhe Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, paralajmërimin e NATO-s për shtim të përhershëm të forcave në Kosovë.
“Unë nuk mendoj se kjo ‘e përhershme’ nënkupton disa qindra vite. Ideja është të blihet kohë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drejt marrëveshjes që BE-ja ka vënë në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Unë mendoj se NATO-ja do të qëndrojë për aq kohë sa i nevojitet. Ajo do ta ofrojë ndjenjën e sigurisë mes shqiptarëve dhe serbëve, se ajo do të ndihmojë në ruajtjen e paqes, derisa diplomatët bëjnë punën e vështirë”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Jasmin Mujanoviq, ekspert i politikave në Evropën Juglindore, thotë për Exposenë se shtimi i përhershëm i forcave të NATO-s në Kosovë, do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit në mënyrë të konsiderueshme dhe do të dërgonte sinjal se NATO-ja i merr seriozisht kërcënimet e dukshme në Ballkanin Perëndimor.
“Kjo nuk është e mjaftueshme. Mendoj se NATO-ja, përfundimisht, duhet të punojë drejt zgjerimit të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor, duke i konsideruar Bosnjën dhe Kosovën si prioritete më urgjente. Por, për momentin, ky është një hap i mirë i ndërmjetëm”, thotë Mujanoviq.
Ai shton se dy figurat që përfitojnë nga këto tensione janë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, si dhe presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili ka tendenca secesioniste. Për situatën e krijuar edhe disa dekada pas përfundimit të luftërave në Ballkan, Mujanoviq, një pjesë të fajit e hedh mbi vetë bashkësinë ndërkombëtare.
“Qeveritë perëndimore kanë ndaluar t’i kushtojnë vëmendje Ballkanit dhe kanë besuar se procesi i rindërtimit dhe demokratizimit pas luftës mund të arrihet me kontribut minimal dhe me përfshirje minimale nga ana e tyre. Kështu nuk ka qenë më herët. Kur mendojmë për rindërtimin e pasluftës në Gjermani dhe në Japoni, përfshirja e aleatëve ka qenë në një shkallë shumë, shumë më të madhe”, thotë ai.
Mujanoviq shton se “qasja e butë” e Perëndimit ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rrezikuar Kosovën, por edhe Bosnjën dhe Malin e Zi, ku militantizmi nacionalist serb, sipas tij, është kërcënim kryesor për sigurinë e brendshme.
Ai nuk beson se në Ballkan mund të ketë sërish konflikte të ngjashme me ato të viteve ’90, por thotë se dhuna me një intensitet të ulët është e mundshme.
Ngjashëm shprehet edhe Kupchan. Ai thotë se sulmi në Banjskë ka qenë një “ngjarje alarmuese”, ashtu si edhe mobilizimi i atëhershëm i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën. Kërcënimi për dhunë nuk është i menjëhershëm, por nuk mund të përjashtohet, thotë Kupchan.
“Gjëja e fundit që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan tani, është një tjetër vatër e nxehtë. Kemi një luftë të madhe në Ukrainë dhe një luftë të ndezur në Lindjen e Mesme. Unë mendoj se qëllimi [i bashkësisë ndërkombëtare] është ta mbajë Ballkanin Perëndimor stabil dhe ta shtyjë drejt paqes së qëndrueshme”, thotë Kupchan.
Por, a e rrezikon paqen në Ballkan edhe ndikimi rus? Diskutimi për këtë është intensifikuar kah mesi i muajit të kaluar, kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia “do të sigurohet që një vend ballkanik të hyjë në luftë me një tjetër”.
Pretendimet e tij janë mbështetur edhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Sarajevë më 20 nëntor.
“Jemi të shqetësuar nga retorika secesioniste dhe përçarëse [në Bosnje] si dhe nga ndërhyrjet e huaja malinje, duke përfshirë edhe Rusinë”, ka thënë Stoltenberg.
Autoritetet e Kosovës përsërisin vazhdimisht se Rusia, përmes aleates së saj, Serbisë, përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në Facebook më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar, mes tjerash, se “kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve”.
Kupchan thotë se nuk ka asnjë dyshim se Rusia bën përpjekje t’i shfrytëzojë ndarjet e brendshme në rajon, për të rritur ndikimin e saj, por, sipas tij, roli i saj po venitet.
“A është e interesuar [Rusia] të nxisë tensione midis Serbisë dhe Kosovës dhe pastaj t’i shfrytëzojë ato tensione? Sigurisht që po. Por, unë mendoj se një tablo më e gjerë këtu, është ajo në të cilën Rusia gradualisht po e humb terrenin e saj në rajon. Qofshi serbë, kosovarë apo malazezë, ju shikoni pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe thoni se ky nuk është vend që e duam si partner. Unë mendoj se kjo është ndoshta një nga arsyet përse SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja po e përmirësojnë lojën e tyre”, thotë Kupchan.
Ky medium ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta komentojë paralajmërimin e NATO-s për rritje të përhershme të pranisë ushtarake në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...