Kurti: Liridona u vra se ishte grua, dënim maksimal ndaj kryesve

17:38 | 3 Dhjetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar tha se Liridona Ademaj u vra me paramendim duke shtuar se ajo u vra sepse ishte grua.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten duke shtuar se normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë, shkruan Arbresh.info.

Sipas tij, arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton.

“Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.”, u shpreh ai.

Tutje shefi i ekzekutivit u shpreh se Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.”, shkroi Kurti.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.”, shtoi ai.

Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit u shpreh se qytetarët presin nga zyrtarët publikë se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo, siç u shpreh ai, kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin.

“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin.”, përfundoi Kurti.

Ndryshe, sot është mbajtur seanca dëgjimore në të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë u caktoi nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve, dhe të njëjtit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë./Arbresh.info/

Të ngjashme