Kosova “shndërrohet në Teksas”- 27 vrasje brenda 11 muajve të fundit

09:55 | 2 Dhjetor 2023
K.B

Që nga 1 janari deri më sot, vendi është tronditur 27 herë nga vrasjet që ndodhën, shpesh në hapësira publike duke rrezikuar numër të madh njerëzish.

Si shkak i këtyre vrasjeve tre zyrtarë policorë janë plagosur në raste të ndryshme.

Rasti i fundit ishe të enjten ku Policia e Kosovës zhvilloi një aksion të gjerë për arrestimin e të dyshuarve për grabitjen e armatosur që ndodhi disa ditë më parë në një argjendari në Suharekë.

Gjatë aksionit të së enjtes është vrarë Dukagjin Gashi, njëri prej të dyshuarve për grabitjen e armatosur, janë arrestuar katër persona të tjerë, ndërsa një tjetër gjendet ende në kërkim policor.

Por, Kosova u trondit edhe mbrëmjen e së mërkurës kur brenda një ore u vranë dy qytetarë.

33-vjecarja, Liridona Murseli u vra në sy të bashkëshortit dhe fëmijëve të saj nga një grabitës i armatosur dhe 52-vjeçari, Ali Kosova, i cili ther për vdekje me thikë nga dhëndri i tij, Edon Bujupi.

Janar-tetor 26 vrasje në Kosovë

Nga Policia e Kosovës për Arbresh.info thonë se brenda 10 muajve në Kosovë kanë ndodhur 26 vrasje.

“Numri i vrasjeve për periudhën Janar – Tetor 2023 është 26”, thuhet në përgjigjën e Policisë së Kosovës.

Faktorët që çojnë në vrasje

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se vrasjet si fenomen vijnë si pasojë e gjendjes ekonomiko-sociale dhe një krizë në përgjithësi në shoqërinë kosovare.

“Rastet e mbrëmshme sidomos vrasja e një nënë që ë ka trondit opinion dhe të gjithë, mendoj në aspektin familjar dhe profesional se si mund të vritet asht u siç është vra ajo dikush në prezencë të familjes. Si fenomen është i dhembshëm dhe numri i rritjeve të vrasjeve është pasojë e gjendjes ekonomiko-sociale dhe një krizë në përgjithësi në shoqërinë kosovare”, tha Islami për Arbresh.info

Islami thotë se Institucionet e vendit dhe shoqëria në përgjithësi duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Ai thotë se duhet të ketë një strategji nacionale në mënyrë që të zvogëlohen vrasjet.

“Institucionet e shtetit dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim se çfarë duhet të bëjmë që të kemi strategji nacionale në mënyrë që të zvogëlohen vrasjet”, shtoi Islami.

Tutje ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve që po bën Qeveria e Kosovës, duhet të jemi edhe më të angazhuar që të rritet mirëqenia sociale, që njerëzit të mos kenë kohë të merren me vepra kriminale.

“Pavarësisht përpjekjeve që po bën Qeveria e Kosovës duhet edhe më tutje të jemi më të angazhuar dhe më këmbëngulës që të rritet mirëqenia e qytetarëve që njerëzit mos të kenë kohë të merren me vepra kriminale”, tha tutje Islami.

Alarm për sigurinë publike

Ndërsa sociologu, Labinot Kunushevci mendon se vrasja si fenomen ndodh për shumë arsye.

Sipas tij arsyet janë mungesa e kontrollit, shtimi i dhunës dhe pasigurisë publike

“Vrasja si fenomen ndodhë për shumë arsye dhe faktorë që ndikojnë në përhapjen e saj, ndër to: mungesa e kontrollit, shtimi i dhunës dhe pasigurisë publike, qasja jorigoroze e sistemit të drejtësisë (dënimet e lehta), frustrimi shoqëror dhe paaftësia – mungesa e inteligjencës emocionale për t’i zgjidhur problemet apo për t’i menaxhuar krizat, agresiviteti në rritje, mungesa e vetëdijes dhe ndërgjegjes individuale dhe shoqërore, qasja e lehtë në pajisjen dhe përdorimin e armëve.”, tha ai.

Përveç këtyre tre rasteve që u përmendën më lartë, në fillim të muajit nëntor edhe një grabitje tjetër e armatosur ndodhi afër një pompe derivatesh në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, ku grabitësit vendosën eksploziv në njërin nga tre bankomatët që gjendeshin aty.

Në vendin e ngjarjes kishte arritur patrulla policore, e cila ishte sulmuar nga grabitësit.

Shkëmbime me armë zjarri pati nga të dyja anët, ku si pasojë një veturë e policisë u shkatërrua.

Mirëpo, edhe në këtë rast grabitësit kanë arritur të ikin na vendi i ngjarjes pa “therrë në këmbë”.

Ende nuk asnjë person të arrestuar për këtë grabitje.

Ndërsa, policia thotë se po vazhdojnë hetimet për kapjet e tyre./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Të ngjashme