Një zyrtar i lartë i Hamasit tha më 1 dhjetor se ky grup palestinez – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është i gatshëm për bisedime të menjëhershme për lirimin e pengjeve të tjera civile, në këmbim të ripërtëritjes së armëpushimit me Izraelin.
Khalil al-Hayeh, zyrtar i lartë në krahun politik të Hamasit, e dha këtë deklaratë disa orë pasi armëpushimi i përkohshëm njëjavor me Izraelin përfundoi dhe dyja palët rinisën luftimet.
Al-Hayeh i tha Al Jazeeras se negociatat për lirimin e pjesëtarëve të ushtrisë së Izraelit, që po mbahen nga Hamasi, do të mbahen vetëm në kontekstin e një armëpushimi gjithëpërfshirës e jo të ndërprerjeve të luftimeve.
“Kjo është një çështje e ndërlikuar dhe ka kushte të ndryshme”, tha ai për lirimin e trupave. “Por, kur bëhet fjalë për civilët, ne jemi të hapur për çfarëdo marrëveshje të re armëpushimi për lirimin e pengjeve civile”.
Al-Hayeh tha se ai nuk ka shifra të pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi. Ai tha se disa persona të moshuar janë në mesin e pengjeve që po mbahen nga grupi radikal palestinez.
Marrëveshje e armëpushimit, hyri në fuqi më 24 nëntor. Ajo ishte paraparë të zgjaste katër ditë, por ajo u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.
Marrëveshja parashihte lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.
Gjatë shtatë ditëve armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë – 23 tajlandezë dhe një filipinas – u liruan, përfshirë edhe disa burra.
Izraeli ka thënë se afër 125 burra janë ende duke u mbajtur peng.
Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.
Si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës – shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve – mbi 13.300 persona janë vrarë./rel
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...