Një person 48 vjeçar ka tentuar të paguajë faturën e energjisë elektrike me 500 monedha nga 2 euro, të cilat ishin të falsifikuara.
Vlera totale e tyre arrinte në 1000 euro, raporton Arbresh.info.
Rasti ka ndodhur në Shtërpcë të enjten rreth orës 13:50, bënë të ditur policia, Drejtoria e Ferizajt.
“Me datën 30.11.2023 rreth orës 13:50 policia në Shtërpcë ka pranuar një informacion nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS), dega në Shtërpcë, se një person ka sjellë monedha metalike të dyshuara si të falsifikuara, 500 monedha nga 2 euro ( njëmijë euro) për të paguar faturën e energjisë elektrike”, bën të ditur policia.
Pas intrevistimi nga ana e prokurorit, i dyshuari është liruar për procedura tjera hetimore, ndërsa monedhat e metalta janë konfiskuar.
“Policët hetues të stacionit në Shtërpcë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar personin G.I (M/K) i moshës 48 vjeçar, i cili është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtërpcë dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdesatar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është liruar për procedura tjera hetimore, ndërsa monedhat e metalta janë konfiskuar”, thuhet në njoftim.
Rasti është cilësuar ‘’Falsifikim i parasë’’./Arbresh.info/