Izraeli dhe Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pajtuan të enjten që të zgjasin armëpushimin edhe për një ditë.
Zgjatja e armëpushimit u arrit në minutat e fundit, para se marrëveshja të skadonte. Armëpushimi në Gazë po mundëson lirimin kryesisht të grave dhe fëmijëve nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Hamasi.
Zgjatja e armëpushimit ndodhi mëngjesin e së enjtes, në kohën kur sulmues hapën zjarr zjarr ndaj disa personave që po prisnin për autobus në autostradën kryesore nga Tel Avivi për në Jerusalem, duke vrarë të paktën dy persona dhe plagosur shtatë të tjerë, thanë autoritetet izraelite.
Policia tha se dy sulmues janë vrarë. Ende është e paqartë nëse sulmi u krye nga ndonjë grup militant palestinez dhe nëse kjo ngjarje do të ndikojë në armëpushimin në Gazë.
Presioni ndërkombëtar është rritur për vazhdimin e armëpushimit për aq kohë sa të jetë e mundur, pas pothuajse tetë javë të bombardimeve dhe ofensivës tokësore izraelite në Gazë, që ka lënë të vrarë mijëra palestinezë dhe ka detyruar tre të katërtën e popullsisë prej 2.3 milionë të territorit të zhvendoset dhe ka shkaktuar një krizë humanitare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, arriti në Izrael të mërkurën në mbrëmje. Kjo është vizita e tretë në rajon që nga nisja e luftës. Zyrtari amerikan pritet të kërkojë zgjatje të mëtejme të armëpushimit dhe lirim të më shumë pengjeve.
Katari, që ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin me Hamasin, tha se armëpushimi është zgjatur bazuar në marrëveshjen paraprake, me Hamasin që parashihet të lirojë dhjetë pengje izraelite në ditë, në këmbim të lirimit të 30 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Arritja e zgjatjes së armëpushimit ndodhi në minutat e fundit, pasi Hamasi tha se Izraeli ka refuzuar listën e propozuar për lirimin e pengjeve, ku përfshiheshin shtatë persona të gjallë dhe mbetjet mortore të tre të tjerëve, që sipas grupit radikal janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite. Izraeli më pas tha se Hamasi ka dorëzuar një listë të re të pengjeve, duke mundësuar zgjatjen e armëpushimit.
Hamasi mori afër 240 pengjeve gjatë sulmit fillestar në Izrael më 7 tetor, gjë që nxiti luftën. Grupi radikal po ashtu vrau 1.200 persona. Hamasi pritet që të parashtrojë kërkesa më të mëdha në këmbim të lirimit të burrave dhe ushtarëve.
Izraeli ka thënë se do të vazhdojë të mbajë armëpushimin deri kur Hamasi të ndalojë së liruari pengje, dhe pas kësaj Izraeli do të rinisë ofensivën e tij me qëllim që të shkatërrojë grupin.
Me trupat izraelite që kanë kontrollin në pjesën më të madhe në veri të Gazës, një sulm tokësor në jug – ku aktualisht është përqendruar shumica e popullsisë së Gazës – ka të ngjarë që të sjellë një përshkallëzim në numrin e viktimave të palestinezëve dhe të shkaktojë shkatërrim të madh.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka thënë Izraelit se nëse nis një ofensivë në jug, duhet të operojë me precizitet të lartë.
Marrëveshja fillestare e armëpushimit u arrit të premten, më 24 nëntor, dhe kjo është zgjatja e dytë e marrëveshjes. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se Hamasi po mban rob afër 20 gra, të cilat thonë se do të lirohen në ditët në vijim nëse mbahet ritmi i njëjtë i këmbimit të pengjeve dhe të burgosurve.
Pas lirimit të tyre, vazhdimi i armëpushimit do të varet se si do të vijojnë negociatat lidhur me lirimin e afër 126 burrave që Izraeli ka thënë se Hamasi po i mban, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë.
Për lirimin e burrave, Hamasi pritet që të kërkojë lirimin e burrave palestinezë që janë në burgjet izraelite apo të burgosur të njohur, një kusht që Izraeli mund edhe të mos e pranojë.
Deri më tani, shumica e palestinezëve të liruar kanë qenë adoleshentë të akuzuar se kanë hedhur gurë gjatë konfrontimeve me forcat izraelite. Po ashtu, disa gra të liruara, ishin akuzuar se kishin tentuar të sulmonin ushtarët izraelitë.
Deri më tani, gjatë gjashtë ditëve të armëpushimit, 73 izraelitë janë liruar nga Hamasi, përfshirë edhe persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu janë liruar edhe 24 pengje, 23 tajlandez dhe një filipinas.
Para se të arrihej armëpushimi, Hamasi kishte liruar katër pengje dhe ushtria izraelite kishte shpëtuar një. Ndërkaq, dy pengje u gjetën të vdekur në Gazë./rel
Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba – veç p...
Haradinaj: Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të ...
Papa Françesku kërkon të hetohet nëse në Gazë po kryhet gjen...
Plagoset me armë 32-vjeçari shqiptar në Itali
Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Ministrit Peci, Fito...
Hamza në Zvicër: Kosova synon te sjellë ekspertë ndërkombëta...