Google ADS

KMDLNJ: Protesta e PSD-së e drejtë, policia përdori forcë jopropocionale

17:25 | 29 Nëntor 2023
E.H

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar lidhur me protestën e Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët kanë kundërshtuar vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë.

Sipas KMDLNJ-së, protesta ishte e drejtë dhe jo e dhunshme, ndërsa ka bërë thirrje për hetim nëse zyrtarët policorë kanë tejkaluar përgjegjësitë e tyre gjatë përplasjes me aktivistët.

Në reagimin e tyre, KMDLNj ka shprehur shqetësimin e tyre për përdorimin e një force joproporcionale gjatë arrestimit të aktivistëve të PSD-së, duke kërkuar hetim nga Inspektorati Policor për të vlerësuar nëse janë tejkaluar përgjegjësitë e policisë gjatë menaxhimit të protestës.

Tutje, KMLDNJ-ja ka theksuar se policia ka përdorur forcë joproporcionale ndaj protestuesve, duke bërë thirrje për respektimin e standardeve minimale profesionale dhe morale në menaxhimin e këtyre situatave.

Lexo edhe:

Në lidhje me vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë, KMDLNj ka vlerësuar se ajo nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si provokim, duke përmendur qëndrimin e tyre të fortë kundër kësaj vizite në kontekstin e mosrespektimit të të drejtave të qytetarëve të Kosovës që mbahen peng në Burgun e Gjykatës Speciale në Hagë.

“KMDLNj-a ka monitoruar protestën e organizuar nga PSD – së kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Raciste Speciale, Ekaterina Trandafilova ne Prishtinë përkatësisht takimit në hotelin me një pjesë të përzgjedhur të shoqërisë civile. Jashtë hotelit ishin policë të Kosovës ndërsa brenda hotelit kishte policë specialë të uniformuar dhe të veshur si civilë. Ishin të pranishëm shumë media. Udhëheqës të veteranëve të UÇK- së u prononcuan para mediave sikur që e bënë edhe udhëheqës të PSD -së. Kur aktivistë të PSD -së hodhën tymyes, policia e Kosovës intervenoi duke arrestuar së paku 5 aktivistë të PSD -së ndaj të cilëve u përdorë një fircë joproporcionale, për KMDLNJ- ën krejtësisht e panevojshme. Në rrëmujën e krijuar është alivanosur gazetari i portalit Arbresh .info. KMDLNj – në kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse janë tejkaluar përgjegjësitë me të cilat është pajisur Policia me rastin e menaxhimit të protestave”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Lexo edhe:

Në përfundim, KMDLNj-ja ka mbështetur legjitimitetin e protestës së PSD-së, duke e vlerësuar si një shprehje e drejtë e qytetarëve në një shoqëri demokratike dhe ka ngritur shqetësimin e tyre lidhur me ndikimin e vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale në stabilitetin dhe sigurinë e shoqërisë.

“Protesta e PSD -së është e drejtë dhe kjo është e rregulluar me ligj. Protesta, në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut në çdo vend demokratik. Në kohën kur qytetarëve të Kosovës që po mbahen peng në Burgun e Gjykatës Speciale Raciste në Hagë po iu mohohen të drejtat elementare të njeriut, vizita e kryetares së kësaj Gjykate në Prishtinë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se provokim dhe veprim në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale. KMDLNj ka qenë fuqishëm kundër kësaj vizite”, ka vijuar reagimi i tyre./Arbresh.info

Lexo edhe:

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme