Google ADS

BE presion Greqisë për Shqipërinë, sot merret vendimi në Bruksel për kapitujt

12:31 | 29 Nëntor 2023
E.G

Përfaqësues të shteteve anëtare të BE vendosin të mërkurën në Bruksel qendrimin përfundimtar për propozimin e komisionit europian që Shqipëria të çelë kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit.

Burime të besueshme diplomatike në Bruksel i thanë RTSH se takimi i nisur tashmë do të duhet të përmbyllë në parim dhe si dokumentacion përgatitjen e vendimit që Këshilli europian do të marrë në dhjetor.

Gazeta greke Ekathimerini, i referohet po ashtu këtij takimi duke bërë të ditur se Bashkimi Europian nuk e pranon një veto të Greqisë për Shqipërinë.

“Konsultime intensive diplomatike po zhvillohen për të bindur Greqinë të pranojë të dërgojë një letër në emër të Këshillit Evropian në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të fillojë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në BE,” shkruan Ekathimerini.

Gazeta i referohet po ashtu burimeve diplomatike duke e vlerësuar komunikimin si presion ndaj Athinës zyrtare.

“Nuk është sekret se Athinës i është bërë presion për të hyrë në bord dhe, në komentet për Kathimerini, burime diplomatike evropiane thanë se kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe. Madje, sipas një zyrtari evropian, edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e acaruar me qëndrimin e palës greke,” shkruan Ekathimerini.

Gazeta paralajmëron se Greqia nuk mund të vazhdojë qendrimin e deklaruar të saj deri tani.

“Në këtë sfond, Greqia nuk mundet, thanë burime diplomatike, të vazhdojë bllokimin e letrës në fjalë për një kohë të gjatë pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të Shqipërisë. Për shkak të kësaj, dhe në rast se përfundimisht vendos të dërgojë letrën e lartpërmendur nga Këshilli Evropian, Athina po shqyrton hapësirën për “bllokimin” e fazës tjetër të procesit përkatës, i cili përfshin një raport që përshkruan të gjitha standardet për atë që ka tashmë ose duhet të ishte përmbushur nga Tirana (raporti i përhershëm i anëtarësimit), si dhe thirrja e një konference ndërqeveritare përkatëse,” shkruan gazeta greke.

Qendrimin grek Kathimerini e ka konfirmuar me deklarimet e ministri të shtetit Stavros Papastavrou.

“Çështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës,” citohet të ketë thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme