Google ADS

Kurti në Vlorë vizitoi ekspozitën e realizuar për ditën e Flamurit e të Pavarësisë

23:47 | 28 Nëntor 2023
E.H

Me rastin e 28 Nëntorit, Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar Ekspozitën e Pavarësisë në Vlorë, ngjarje kjo e realizuar pikërisht për ditën e Flamurit të Pavarësisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti u shpreh se do të dëshironte që të qëndronte më gjatë me artistët për të diskutuar mbi pejzazhet, portretet, teknikat dhe metaforat në tablotë e tyre, përcjell Arbresh.info.

Kurtit kjo ekspozitë i ka lënë një shije ngrohtësie.

Postimi i plotë:

Kënaqësi e veçantë në Vlorën tonë të ndritur ishte edhe vizita në Ekspozitën e Pavarësisë, një ngjarje intensive, e realizuar posaçërisht për ditën e madhe të Flamurit e të Pavarësisë.

Në disa dhjetëra metra katrorë ndesha tri forma të forta plastike: pikturë, pullë, dokument. Do të doja të kisha qëndruar më gjatë me artistët për të diskutuar mbi pejzazhet, portretet, teknikat dhe metaforat në tablotë e tyre. Artisti Edi Kojani më shoqëroi dhe me foli për çdo artist e çdo tablo. Disa prej artistëve ishin të pranishëm dhe shkëmbejnë ndoca fjalë me entuziazëm feste.

E po aty, në mes të sallës, plastika që përshkruan një shekull administrativ, që lidh data dhe personalitete, që lidh ngjarje dhe njerëz – pulla.

Gjetje e bukur fakti që filatelia bënte pjesë në një sallë me pikturën dhe skulpturën. Ashtu papritmas, duke menduar pullat, më vjen ndërmend një prej statujave në një prej qosheve të sallës: shqiptari si kryq i ngurtë i trupit të malësorit dhe çiftelisë së tij.

Kur dola nga ajo sallë, në një holl të hapur, një befasi tjetër: ajo e prezantimit të disa prej dokumenteve më të hershëm e më të thukët të periudhës së ngutshme e të ethshme që garantonte shtetin e parë të shqiptarëve, dhe, të asaj që tregonte të pakryerën: Komiteti “Mbrojtja

Kombëtare e Kosovës” ndër shkresa e dorëshkrime.

E tërë ekspozita më la një shije ngrohtësie. Sipas metaforës së karikaturës së Arben Meksit, kulla e Pizës e sheh ndoshta drejtësinë në gjurmën e vet. Ka ardhur koha që ne ta lexojmë drejtësinë tonë drejtpërdrejt në punën tonë të përditshme e jo vetëm në gjurmët tona.

Çdo datë e shënuar është thirrje për punë. Falemnderit artistëve dhe koleksionistëve. Falë tyre ndjeva se në shqiptarët i përkasim të gjitha qyteteve tona, cep më cep, kudo ku na flasin gjurmët e artit dhe të kulturës, gjurmët e shtetndërtimit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme