Ukraina ka paralajmëruar se do ta bojkotojë takimin e Këshillit të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas ftesës për ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se planifikon të marrë pjesë në të.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, “do të bojkotojë takimin ministror të OSBE-së pas vendimit për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit”, tha për AFP-në zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i dha leje avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të fluturuar mbi Bullgari, raportoi Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, vendimi u mor pas kërkesës së Maqedonisë së Veriut – vendit që aktualisht ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim.
Sipas njoftimit, autorizimi për Lavrovin bie nën përjashtimin e regjimit të sanksioneve të BE-së kundër tij dhe “nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë gjithashtu të sanksionuar me ligjin aktual të BE-së”.
Më herët, Komisioni Evropian tha se Lavrov mund të udhëtojë në BE dhe në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se është i sanksionuar.
Këshilli i Ministrave të OSBE-së pritet të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, 2023.
Mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së pritet të arrijnë në Shkup për takimin e kësaj jave.
Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov duke shkuar te ulëset e tyre përkatëse para një takimi në Gjenevë, 21 janar 2022, rreth një muaj para se Rusia ta niste pushtimin e plotë të Ukrainës
Prej se shteti rus ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, shumica e vendeve në Evropë – përfshirë Bullgarinë – kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, duke shprehur solidaritet me Ukrainën.
Në qershor të vitit të kaluar, vizita e Lavrovit në Serbi u anulua, sepse vendet e saj fqinje – Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – ndaluan fluturimin e avionit të tij në hapësirën e tyre ajrore.
Konsumatorët ankohen për ngitje çmimesh, kërkohet kontroll n...
Cilat kompani gjermane do të largojnë mijëra punëtorë?
Burimi pyet Sarën: A ishte mërzit nëse dal sonte?
Rohde përgëzon policinë e Kosovës dhe atë gjermane për aksio...
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...