Google ADS

Malaj: Kur shënojmë pavarësinë e Shqipërisë, rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin e Kosovës

11:01 | 28 Nëntor 2023
E.G

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj u shpreh i lumtur dhe krenar që 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë po e feston me bashkëkombasit.

Malaj tha se në këtë ditë, nuk festohet vetëm pavarësia e Shqipërisë, por ka edhe solidarizim me popullin e Kosovës, shkruan Arbresh.info.

“E ndërsa mblidhemi këtu në komunën e Prishtinës, mua më kujtohët qëndrueshmëria dhe forca e treguar nga populli i Kosovës gjatë gjithë rrugëtimit të tij drejt pavarësisë. Sot ne jo vetëm që festojmë pavarësinë e Shqipërisë, por edhe solidarizohemi me motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë të cilët kanë treguar gjithmonë vendosshmëri dhe guxim të palëkundur.”, tha ai.

Ambasadori i Shqipërisë, u shpreh se kjo ditë është simbol i shpirtit të qëndrueshëm që na bashkon si popull.

“Është një testament i sakrificave të bëra nga brezat e kaluara, një kujtim i betejeva të duruara dhe një festë e triumfeve të arritura në emër të lirisë. “, tha ndër të tjera Malaj.

Tutje, ambasadori Malaj tha se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk janë vetëm marrëdhënie diplomatike.

“Kjo marrëdhënie  është e farkëtuar në kryqëzimine  historisë të përbahskët, të aspiratave të përbashkëta dhe një përkushtimi ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut.”

“Ne sot kur shënojmë pavarësinë e Shqipërisë, rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin e Kosovës tonë të dashur.”

Ai tha se përballë sfidave të dyja vendet kanë dëshmuar qëndrueshmëri, solidaritet si dhe, siç thotë ai, kanë vlerësuar se ndjekja e pavarësisë është një rrugë që kërkon përpjekje kolektive, mirëkuptim të ndërsjellë dhe përkushtim ndaj vlerave që na lidhin.

“Ne së bashku kemi kapërcyer pengesat dhe po së bashku ne shikojmë drejt një të ardhmeje me prosperitet, bashkëpunim dhe harmoni të përbashkët.”, tha ai.

Në këtë ditë, Malaj bëri thirrje për reflektim për rëndësinë e lirive të fituara me vështirësi.

“Le të ripërtërijmë angazhimin tonë për të nxitur paqen, stabilitetin në rajon”, u shpreh ndër të tjera Malaj.

“Me vendosshmëri, ne së bahsku mund t’i kapërcejmë sfidat, ashtu siç bën paraardhësit tanë në kërkim të pavarësisë

Duke iu drejtuar qytetarëve të Kosovës, Malaj tha se Shqipëria qëndron me Kosovën jo vetëm këtë ditë por gjithmonë.

“Le të vazhdojë kjo marrëdhënie vëllazërore mes Shqipërise dhe Kosovës dhe flaka e lirisë të digjet në zemrat tona. Të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë”, tha ai.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, uroi Malaj.

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë solemne me rastin e Ditës së Flamurit/Arbresh.info/

Të ngjashme