“Qasja hegjemoniste e Serbisë në raport me Kosovën dhe me vendet fqinje, vazhdon të mbetet kërcënim”.
Kështu shprehet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke shtuar se rasti në Banjskë shpërfaqi qëllimet agresive të Serbisë dhe tregoi nevojën e prezencës së shtuar në veri.
Radio Kosova: Ministër, si e shihni gjendjen e sigurisë dhe të mbrojtjes në Kosovë, pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator?
Maqedonci: Aktualisht gjendja është shumë më stabile seç ka qenë gjatë sulmit të 24 shtatorit dhe pas sulmit. Kërcënimi mbetet aty derisa mbetet qasja hegjemoniste e Serbisë në raport me vendin tonë dhe fqinjët tjerë. Kjo qasje nuk ka ndryshuar ndër vite, e kjo është shpërfaqur me format tjetër me datën 24 shtator, kur një grup i uniformuar terrorist, i mbështetur nga strukturat shtetërore serbe, tentoi një agresion në veri të vendit tonë. Fatmirësisht, ky agresion nuk pati sukses. Grupi kriminal i organizuar, i uniformuar dhe me synime terroriste, u mposht nga Policia e Kosovës. Policia e Kosovës demonstroi pjekuri, mature, e mbi të gjitha demonstroi profesionalizëm në zhvillimin e atij operacioni, duke u përballur me një forcë ushtarake paramilitare, e cila ishte organizuar dhe e përgatitur për kapje të terrenit dhe ndarjen e një pjese të vendit tonë.
Radio Kosova: A vlerësoni që pas këtij sulmi në veri duhet të bëhet rishikimi që në raste të sulmeve të tilla edhe ushtria e Kosovës, në dakordim me KFOR-in të shkojë në komunat veriore për ruajtjen e kufirit?
Maqedonci: Ne edhe gjatë ditës së 24 shtatorit dhe pas 24 shtatorit kemi mbajtur në kontakt të vazhdueshëm Komandantin e KFOR-it dhe zyrtarë të lartë të NATO-s të cilëve ne iu kemi ofruar mbështetje në rast nevoje për të kryer detyrat e tyre në kuadër të misionit, e që janë mbrojtja e jetës së qytetarëve siguria dhe stabiliteti në vend. Pra, gjatë këtij operacioni ne kemi qenë në sinkronizim me KFOR-in. Mbrojtja e territorit, sovranitetit dhe integritetit të vendit është një ndër detyrat kryesore të FSK-së. Në këtë aspekt ne jemi të gatshëm ta mbështesim KFOR-in në pjesën veriore të vendit dhe gjithsesi në koordinim me ta të pengojmë dhe frenojmë çdo sulm eventual apo tentativë për sulm kundër vendit tonë.
Radio Kosova: Ngjarjet në veri të vendit a kanë ndikuar edhe në dorëheqjen e pjesetarëve serbë nga FSK-ja?
Maqedonci: Largimi i pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb është duke ndodhur qe disa vite më radhë. Ky largim ka ardhur si rezultat i presionit të vazhdueshëm që strukturat e Serbisë kanë bërë ndaj këtyre pjesëtarëve, e që më e keqja edhe ndaj familjarëve të tyre. Normalisht që kjo ka ndikuar në largimin e tyre. Pjesa dërmuese e tyre ende mbeten në listat e FSK-së.
Radio Kosova: Ministër, pas luftës në Ukrainë dhe tashmë edhe asaj në Lindje të Mesme, a jemi duke e shfrytëzuar partneritetin tonë sa duhet me SHBA-në, për t’u pajisur me armë të reja?
Maqedonci: Ministria e Mbrojtjes realizon blerjet bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe tabelën organizative të pajisjeve. Këto dy dokumente që adresojnë se çfarë pajisjesh dhe sistemesh të armatimit duhet të ketë FSK-ja. Blerjet nga SHBA-ja dominojnë të gjitha blerjet. Normalisht përveç blerjeve kemi edhe donacione që i marrim nga SHBA-ja. FSK-ja është e furnizuar si kurrë më parë me sisteme dhe pajisje të armatimit, të cilat mundësojnë realizimin e misionit të saj. Ne përveç SHBA-së, furnizohemi edhe nga shtetet e tjera të NATO-s si Turqia, Krocia, Italia ,Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera të NATO-s. Kjo ndihmon që të kemi ndërveprueshmëri me ushtritë e NATO-s kur jemi në operacione jashtë vendit. Por të kemi edhe një përgatitje të forcës sonë për të qenë pjesë e NATO-s në të ardhmen.
Radio Kosova: Krahas ngritjes se nivelit profesional të FSK-së si po shkon periudha gjithëpërfshirëse e tranzicionit? Çka parasheh faza e dytë e planit të tranzicionit?
Maqedonci: Plani gjithëpërfshirës i tranzicionit të FSK-së përbëhet nga tri faza kryesore. Në fazën e pare, e cila ka përfunduar në vitin 2022, qëllim kryesisht ka qenë përgatitja e dokumentacionit, e doktrinave ushtarake, përgatitja e personelit, trajnimi, zhvillimi i stërvitjeve kolektive dhe zhvillimi i ndërveprueshmërisë më partner.Prej vitit 2023 deri në vitin 2025 jemi në fazën e dytë të tranzicionit që mund të them se është faza më e rëndësishme,sepse fillojmë më ndërtimin e kapaciteteve të reja, e që është ndërtimi i kapaciteteve të këmbësorisë. Në fund të kësaj faze do të kemi tri regjimente në nivel vendi të certifikuara, të validuara, të pajisura e të trajnuara për të bërë operacione luftarake. Pra, këto do të jenë njësi të këmbësorisë, që për herë të parë vendi ynë do t’i ketë të certifikuara. Këtë vit e kemi validuar Regjimentin e Parë të Këmbësorisë në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 2023”, vitin e ardhshëm do ta kemi Regjimentin e Dytë të Këmbësorisë, kurse vitin pasues do ta kemi validimin e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë.
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...
Mbahet takimi i 257-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, m...
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...