Sot ka filluar fushata “Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Në hapje të kësaj fushate kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilat kanë vendosur shenjat e duarve me ngjyrë mbi transparentin “Ato janë ne”.
“Sot po i fillojmë 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore. Jemi këtu për ta ngritur edhe një herë zërin tonë kundër dhunës me baza gjinore dhe për të thënë se ky aktivizim ndaj këtij fenomeni jashtëzakonisht të dëmshëm për shoqërinë tonë duhet të jetë çdo ditë të vitit dhe jo vetëm tani”, tha presidentja Osmani.
Gjatë këtyre 16 ditëve me plot aktivitete, ajo tha se synohet të ngritin vetëdijen kundër dhunës mbi baza gjinore, dhunës në familje, dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe dhunës ndaj vajzave në çdo ambient.
Osmani tutje tha se po punojnë që t’i ashpërsojnë dënimet ndaj atyre që kryejnë dhunë.
“Në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar gjatë këtij viti, që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por në të njëjtën kohë që të punojmë së bashku me të gjitha institucionet në mënyrë që të kemi edhe parandalimin e këtij krimi. Jo dënim vetëm pasi që të ndodhë krimi”, tha Osmani, duke u bërë edhe një herë thirrje vajzave dhe grave që ta ngritin zërin kundër dhunës.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se aktiviteti i sotëm “Ato janë ne”, është një thirrje dhe sensibilizim me të mbijetuarat e dhunës mbi baza gjinore dhe të dhunës në familje. Ajo po ashtu bëri thirrje për institucionet e Kosovës që rastet e dhunës mbi baza gjinore dhe rastet e dhunës në përgjithësi të mos i injorojnë, të mos i neglizhojnë e të mos i paragjykojnë por të marrin veprime serioze në raport me adresimin e tyre, duke theksuar që dhunuesit t’i vendosin para përgjegjësisë penale.
Ajo tutje tha se kjo thirrje është edhe për qytetarët e Kosovës që kurdo dhe kudo që kanë dijeni që po ndodhë dhuna ndaj një vajze të mos heshtin por ta ndihmojnë viktimën. Po ashtu, theksoi tutje Haxhiu, edhe viktimat në asnjë rrethanë nuk duhet t’i lënë rastet pa i raportuar.
Haxhiu deklaroi se janë duke u angazhuar maksimalisht që të ofrojnë ndihmën juridike falas pa asnjë kompensim në çështjet penale.
Ministrja po ashtu njoftoi se do të bëhet edhe lansimi i programit të parë në Republikën e Kosovës për trajtimin e dhunuesve.
Edhe ministrja Nagavci kërkoi që të raportohet dhuna dhe dhunuesit të marrin dënimin maksimal. Ajo më tej theksoi se në të gjitha shkollat në vend nxënësit do të njihen me të drejta e tyre dhe se mësimdhënësit tashmë janë pajisur me informata për adresimin e këtyre rasteve.
“Në gjitha shkollat kanë filluar një varg aktivitetesh në shkolla që të gjithë të njihen me të drejta e tyre, por edhe të raportojnë dhunën. Kemi përgatitur dhe shpërndarë informatorë edhe për mësimdhënësit tanë për të adresuar këto raste”, tha Nagavci./rtk
Pamje nga një lum në Gjilan, Aliu thotë se po pastrohet e po...
Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së vizituan ushtrimin fushor ...
Ish-eprori i UÇK-së, Xhevahir Geci i bashkohet PDK-së, do të...
Hoxha: Raportit nëntëmujor i Policisë së Kosovës njofton ulj...
Instruktorët turq trajnojnë ushtarët e FSK-së
Spanjë: 78 persona ende të zhdukur nga vërshimet