Reshjet e borës/ Balla: Policia Rrugore gjendet në të gjitha rrugët e vendit, për të ndërhyrë në çdo rast nevoje

12:51 | 25 Nëntor 2023
K.B

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla tha se Drejtoria e Policisë Rrugore ka udhëzuar të gjitha strukturat e Policisë Rrugore vendore, që të patrullojnë në akse dhe të kërkojnë ndërhyrjen e enteve pronare të rrugës, në çdo rruge ku konstatohet vështirësi për shkak të lagështirës dhe borës.

“Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, pjesa më e madhe e vendit, nga mesnata e në vijim, është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe reshje bore në zonat malore.

Në funksion të parandalimit të ngjarjeve rrugore, si dhe të kontrollit të gjendjes së rrugëve, Drejtoria e Policisë Rrugore ka udhëzuar të gjitha strukturat e Policisë Rrugore vendore, që të patrullojnë në akse dhe të kërkojnë ndërhyrjen e enteve pronare të rrugës, në çdo rruge ku konstatohet vështirësi për shkak të lagështirës dhe borës”, shkruan Balla.

Ai tha se qarqet më problematike për shkak të reshjeve të borës në zonat malore janë Shkodra, Kukësi dhe Dibra.

“Aktualisht, qarqet më problematike për shkak të reshjeve të borës në zonat malore janë Shkodra, Kukësi dhe Dibra. Ndërkohë që shërbimet e Policisë Rrugore janë në terren, për të kontrolluar rrugët dhe përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve të gomave, nga drejtuesit e mjeteve”, shkruan ai tutje.

Ministri i brendshëm shqiptar theksoi se Policia Rrugore gjendet në të gjitha rrugët e vendit, për të ndërhyrë në çdo rast nevoje, si dhe apelon për kujdes të shtuar në rrugë,

“Policia Rrugore gjendet në të gjitha rrugët e vendit, për të ndërhyrë në çdo rast nevoje, si dhe apelon për kujdes të shtuar në rrugë, për përdorimin e gomave dimërore dhe të zinxhirëve në zonat ku trashësia e borës është e madhe”, theksoi Balla.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që për çdo problem që lidhet me lëvizshmërinë në rrugë, nevojën për ndihmë në rast avarish apo ngjarjesh rrugore, telefononi menjëherë në numrin e emergjencave 112.

“Për çdo problem që lidhet me lëvizshmërinë në rrugë, nevojën për ndihmë në rast avarish apo ngjarjesh rrugore, telefononi menjëherë në numrin e emergjencave 112”, përfundon shkrim Balla./Arbresh.info/

Të ngjashme