Google ADS

Kina thotë se nuk u zbulua asnjë patogjen i pazakontë në rastet me sëmundje të frymëmarrjes

11:26 | 24 Nëntor 2023
K.B

Autoritetet shëndetësore kineze nuk kanë zbuluar ndonjë patogjen të pazakontë, ose të ri, dhe kanë ofruar të dhënat e kërkuara lidhur me rritjen e rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe grupet e raportuara të pneumonisë te fëmijët, tha të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Organizata Botërore e Shëndetësisë i kishte kërkuar Kinës më shumë informata për sëmundjet e frymëmarrjes që po përhapen në veri të vendit, pasi u raportuan grupe të pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët.

Sipas rregullit, Kina iu përgjigj OBSH-së brenda 24 orëve. OBSH kishte kërkuar informacion epidemiologjik dhe klinik, si dhe rezultate laboratorike përmes mekanizmit të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit.

Të dhënat sugjerojnë se rritja është e lidhur me heqjen e kufizimeve të COVID-19 së bashku me qarkullimin e patogjenëve të njohur si mycoplasma pneumoniae – një infeksion i zakonshëm bakterial i cili ka qarkulluar që nga maji dhe zakonisht prek fëmijët më të vegjël.

Gripi, virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) dhe adenovirusi kanë qenë në qarkullim që nga tetori.

Agjencia nuk këshillon ndërprerjen e udhëtimeve apo të tregtisë pasi ata kanë monitoruar situatën me autoritetet.

Asnjë patogjen i pazakontë nuk është zbuluar në kryeqytetin e Pekinit dhe provincën verilindore të Liaoning./rel

Të ngjashme