Google ADS

Shpërthim misterioz i sëmundjeve respiratore, reagon OBSH: Çfarë po ndodh në Kinë 

22:27 | 23 Nëntor 2023
KRG

Në Kinë nuk është zbuluar asnjë patogjen i ri ose i panjohur.

Është ky reagimi zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi vendi nisi që të regjistrojë një numër të konsiderueshëm rastesh me probleme respiratore këtë vit.

“Sot patëm një telefonatë me kolegët nga CDC e Kinës dhe një nga spitalet kryesore në Pekin për të marrë një pasqyrë të përgjithshme të asaj që po ndodh në të vërtetë në të gjithë vendin,” tha Maria Van Kerkhove, drejtoresha e përkohshme e OBSH-së për përgatitjen dhe parandalimin ndaj epidemive dhe pandemisë të enjten mbrëma.

“Në thelb ajo që Kina ka vëzhguar dhe kapur përmes sistemeve të tyre kombëtare të mbikëqyrjes është një rritje e infeksioneve respiratorë tek të gjitha grupmoshat, por kryesisht në mesin e fëmijëve të moshës shkollore, dhe kjo është për shkak të një numri patogjenësh që njihen”, shtoi ajo.

Zyrtarët folën përmes telekonferencës pasi OBSH kërkoi më shumë detaje nga Kina në lidhje me grupimet e pneumonisë tek fëmijët të mërkurën.

“Ata nuk zbuluan ndonjë patogjen të ri ose ndonjë patogjen të panjohur dhe mendoj se është e rëndësishme të përmendet se nuk është diçka e re, por kjo rritje është për shkak të disa patogjenëve të njohur,” tha Van Kerkhove.

Në një raport të publikuar, OBSH bëri të ditur të enjten se numri i rritur i rasteve është regjistruar më herët sesa zakonisht për sezonin ku ndodhet vendi, por shtohet se është një gjë normale duke pasur parasysh heqjen e kufizimeve anti-covid.

“Ky është sezoni i tyre i parë vjeshtë-dimër pa kufizime dhe ajo që Kina po përjeton tani është ajo që shumë vende e përjetuan një ose dy vjet më parë,” shtoi ajo./A2cnn

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme