Google ADS

Grabitësit e armatosur në aksion, shpëtojnë pa “therrë në këmbë”

13:20 | 23 Nëntor 2023
E.H

Një grabitje si në filmat aksion ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Suharekës.

Plumbat që zbrazeshin pa ndërpre nga armët e zjarrit të plaçkitësve kishin cak Policin e Kosovës ,e cila i zuri në flagrancë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ende pa dal nga vetura u sulmuan, duke mbetur kështu një i plagosur në këmbë dhe një tjetër policë ka marr lëndime të lehta gjatë aksionit kundër grabitësve.

Që të dy policët, tani janë jashtë rrezikut për jetë, raporton Arbresh.info.

Katër persona, të maskuar e me armë të gjata arritën që me shpejtësi të boshatisin pothuajse gjithë argjendarinë, duke vjedhur ari në vlerë mbi 250 mijë euro.

Siç edhe shihet nga pamjet e dërguara nga qytetarët e rastit, e gjithë skena duket se ishte e mirë menduar dhe e mirë planifikuar.

Një bënte roje, e tre të tjerë merrnin pothuajse çdo gjë që u dilte para.

Ani se policia arriti me kohë në vendin e ngjarjes, grabitësit arritën që të merrnin gati çdo gjë dhe të ikin nga aty.

Pas ngjarjes, Policia deklaroi se grabitësit arritën të ikin pasi gjatë rrugës kishin vendosur pengesa të ndryshme, duke e pamundësuar ndjekjen nga pas të tyre.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim edhe me drejtori të tjera rajonale kanë bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët për kapjen e grabitësve.

Nga qytetarët kërkohet që nëse kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në kapjen e kryesve të këtij rasti, të kontaktojnë policinë.

Ndryshe, ky nuk është rasti i vetëm i grabitjes së armatosur që ka ndodhur gjatë këtij muaji. Në fillim të muajit nëntor edhe një grabitje tjetër e armatosur ndodhi afër një pompe derivatesh në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, ku grabitësit vendosën eksploziv në njërin nga tre bankomatët që gjendeshin aty.

Në vendin e ngjarjes kishte arritur patrulla policore, e cila ishte sulmuar nga grabitësit.

Shkëmbime me armë zjarri pati nga të dyja anët, ku si pasojë një veturë e policisë u shkatërrua.

Mirëpo, edhe në këtë rast grabitësit kanë arritur të ikin na vendi i ngjarjes pa “therrë në këmbë”.

Ende nuk asnjë person të arrestuar për këtë grabitje.

Ndërsa, policia thotë se po vazhdojnë hetimet për kapjet e tyre./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme