Google ADS

Scholz: Po vështrojmë me interes marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët

23:43 | 22 Nëntor 2023
E.G

Scholz dhe Meloni shpresojnë që marrëveshja e migracionit me Shqipërinë të shërbejë si model për të përmbyllur marrëveshje të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se po e vëzhgon me interes se si do të implementohet marrëveshja Meloni-Rama për hapjen e qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër të Shqipërisë. Scholz tha gjatë një konference me kryeministren italiane Giorgia Meloni, të mërkurën në mbrëmje, 22.11.2023. në Berlin, se marrëveshja është hetuar nga Komisioni i BE-së, dhe se është në përputhje me të drejtën evropiane. “Është interesante për ne ta shikojmë se si do të zhvillohet”, Pyetjes nëse marrëveshja mund të shërbejë si shembull për Gjermaninë, Scholz iu përgjigj me rezervë duke vënë në dukje lidhjen fqinjësore mes Shqipërisë dhe Italisë: “Këtu ka një specifikë që ka të bëjë me fqinjësinë territoriale mes dy vendeve: Ata i ndan vetëm një det”. Sa për Gjermaninë, Scholz tha se po përpiqet të krijojë aleanca në nivel të barabartë me vendet e prejardhjes, sidomos ato afrikane.

Meloni tha se marrëveshja me Shqipërinë është një “marrëveshje kornizë që duhet të plotësohet me detajet dhe normat e duhura”. Ajo tha se edhe Shqipëria do të bëjë “maksimumin për ta kthyer atë një një marrëveshje inovative që mund të shërbente si bazë për të marrëveshje të ngjashme me vende të treta”. Se kur do të ndodhë kjo, kjo do të shihet, tha Meloni.

Marrëveshja Meloni-Rama në fillim të nëntorit shkaktoi një debat të gjërë në Gjermani, pasi edhe Gjermania dhe vende të tjera po përpiqen të gjejnë partnerë që pranojnë refugjatë. Scholz kishte qenë në fillim të muajit vetë në disa vende afrikane, si Ghana dhe NIgeria por asnjëra prej tyre nuk ishte treguar e gatshme për të hapur qendra të tila pritjeje.

Konferenca e shtypit mes Giorgia Melonit dhe Olaf Scholz në Berlin u zhvillua pasi dy krerët e shteteve nënshkruan një plan veprimiplan veprimi për thellimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, mbrojtjes së klimës dhe migrimit. Meloni e quajti atë historike. Konsultat e fundit qeveritare mes dy shteteve evropiane ishin zhvilluar para 16 vitesh./DW

Të ngjashme