Google ADS

Ndërtesa nga ku u vra Presidenti Kennedy, muze për tragjedinë dhe objekt kujtese për udhëheqësin e ndjerë

20:01 | 22 Nëntor 2023
KRG

60 vjet më parë, më 22 nëntor në Dallas të Teksasit u vra Presidenti John Kennedy. Komisioni Warren, i ngritur për të hetuar atentatin ndaj presidentit, arriti në përfundimin se Lee Harvey Oswald, punonjës në ndërtesën e librarisë, qëlloi nga një dritare e katit të gjashtë dhe plagosi për vdekje Presidentin Kennedy. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, me gjithë përpjekjet e shumta për dekada me radhë për ta rrëzuar ndërtesën, struktura e vjetër është tjetërsuar në një muze për tragjedinë dhe objekt kujtese për Presidentin Kennedy.

“Ka qenë një çështje vërtetë e datueshme për një kohë të gjatë se çfarë duhet bërë me këtë objekt”.

Jeffrey Engel, profesor i historisë në Universitetin Metodist Jugor në Dallas, thotë se udhëheqësit e komunitetit luftuan për një kohë të gjatë për të balancuar realitetin e vrasjes së Presidentit John F. Kennedy me mënyrën se si ngjarja ndikoi negativisht tek qyteti.

“Në mendjet e amerikanëve Dallasi u bë sinonim i vrasjes së Presidentit Kennedy. Në skenën politike kombëtare Dallasi njihej si një qytet i urryer dhe i errët”, thotë profesori Engel.

“Ishte një cilësim i padrejtë, por mbeti si një re e errët për dekada mbi këtë komunitet”.

Stephen Fagin është kurator i Muzeut të Katit të Gjashtë, i cili tani zë katin e gjashtë në ish-librarinë prej nga ku, thonë hetuesit, Lee Harvey Oswald qëlloi ndaj Presidentit Kennedy.

“Ky është një institucion historik që eksploron jetën, vdekjen dhe trashëgiminë e Presidentit Kennedy, si dhe historinë e kulturën e gjerë të viteve 1960”, thotë kuratori Fagin.

Muzeu i Katit të Gjashtë u hap në vitin 1989 pranë sheshit Dealey dhe u bë shpejt një destinacion i rëndësishëm turistik.

“Sheshi Dealey zë vendin e dytë në shtetin e Teksasit pas Alamos për nga numri i vizitorëve”, thotë Jeffrey Engel, profesor i historisë në Universitetin Metodist Jugor.

“Ka vende që janë njollosur nga dhuna dhe tragjedia. Sheshi Dealey është një prej tyre, ‘Pearl Harbor’ apo vendi ku dikur ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë. Ato na krijojnë mundësinë për t’i kujtuar siç duhet ngjarjet që ndodhen aty”, thotë kuratori Fagin.

Ai thotë se Muzeu i Katit të Gjashtë nuk nxjerr konkluzione përfundimtare rreth asaj që ndodhi saktësisht në Dallas në nëntor të vitit 1963.

“Vrasja, si shumë gjëra të tjera, është një temë shumë e debatuar. Turistët vijnë këtu pavarësisht nëse mendojnë se Lee Harvey Oswald veproi i vetëm apo nëse ishte komplot”, thotë zoti Fagin.

“Nuk janë të paktë ata që u besojnë teorive të ndryshme mbi vrasjen e Presidentit Kennedy. Ka nga ata vizitorë që mendojnë se mund të dalin me idetë e veta pasi e kanë parë me sytë e tyre vendin e ngjarjes”, thotë profesori Engel.

“Mund të intrigoheni nga nuancat e atentatit, pyetjet e vazhdueshme mbi trajektoret e plumbave dhe provat mjekësore. Por në fund të ditës këtu u vra një president. Sheshi Dealey është simbol i shpresës dhe premtimit të paplotësuar që përfaqësonte John Kennedy”, thotë kuratori Fagin.

Muzeu nuk është thjesht një seri ekspozitash, por edhe një arkiv. Disa nga pamjet filmike të atentatit ruhen dhe licencohen nga muzeu, po ashtu edhe dëshmitë e marra nga të pranishmit e turmës si dhe figura të rëndësishme të ngjarjeve.

Të gjitha këto e pasurojnë muzeun duke sjellë një perspektivë historike për vrasjen e shekullit të 20-të.

“Ky muze ka luajtur një rol kyç në ndihmën e këtij komuniteti që të dëbojë demonët e fundit të mbetur nga viti 1963”, thotë kuratori Fagin.

Mbi 300,000 vizitorë në vit nga 133 vende të botës e frekuentojnë këtë muze. /VOA

Të ngjashme