Rama dhe katër kryeministrat e Ballkanit në takim me Stoltenberg-un

11:37 | 22 Nëntor 2023
A Z

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Shkup, për të marrë pjesë në një takim informal me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me kryeministrat e katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që janë pjesë e Aleancës së Veriut.

Para takimit Rama para gazetarëve iu uroj shqiptarëve Ditën e Alfabetit, ndërsa tha se ky takim vjen në një moment luftërash dhe krizash të rënda gjithandej vendit.

“Dua t’i uroj shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Më vjen shumë mirë që sot mblidhemi këtu, në një moment jo të lehtë për të gjithë, një moment luftërash dhe krizash të rënda që kanë potencialin të rrezikojnë drejtpërdrejtë edhe rajonin tonë, në një moment ku në rajon të gjithë duhet të fokusohemi te mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur që është një paqe e brishtë, por sidoqoftë një paqe. Duhet të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare”, tha Rama.

Stoltenberg po zhvillon një vizitë 3 ditore në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vendet në proceset demokratike dhe të sigurisë. Sekretari i NATO-s qëndroi edhe në Kosovë ku kërkoi që sulmuesit e 24 shtatorit, të vihen para përgjegjësisë.

E sot në Shkup, bashkë me kryeministrin Rama po marrin pjesë edhe: kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spahiq, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Takimi do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa në fund do të ketë një konferencë për medie./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme