Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg siguroi në Shkup se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, apo kërcënim ushtarak ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-së apo edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg u takua në Shkup me kreyministrin Dimitar Kovaçevski. Në fokus të bisedimeve ata kishin sigurinë globale dhe të rajonit: “Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithësesi jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, KFOR-in në Kosovë, shtabin e përgjithshëm në Sarajevë dhe zyrën në Beograd dhe jemi të përgatitur që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo aleat nga çfarëdo qoftë kërcënimi”, deklaroi Stoltenberg.
Kovaçevski: Ndikimet ruse vështirë se mund të destabizilojnë vendin
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u shpreh se Maqedonia e Veriut, por edhe mbarë rajoni, nuk janë të rrezikuar edhe përkundër ndikimeve të rrymave të ndryshme në rajon.
“Ndikime të vendeve të treta, përfshirë edhe ndikimin rus, ekzistojnë në rajon. Ato gjithmonë kanë mundësi të gjejnë mbështetës të mendimeve të tyre tek individë, parti politike dhe organizata të caktuara, por ato nuk arrijnë deri aty sa të kenë posedim apo ndikime deri në atë nivel që të jenë në gjendje të destabilizojnë shtetin tonë”, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Stoltenberg mesazh deputetëve: Bashkoni forcat drejt BE-së
Në fjalimin e mbajtur para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut ,sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi numëroi avantazhet me anëtarësimin e vendit në NATO kërkoi nga deputetët unitet në rrugëtimin drejt BE-së.
“Anëtarësimi në BE do të përforcojë demokracinë tuaj dhe sundimin e së drejtës dhe do të mundësojë jetë më të mirë për të rinjtë. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi që të punojnë së bashku dhe ta çojnë vendin përpara. Nga kjo foltore e Parlamentit ju inkurajoj që të vazhdoni të punoni siç keni punuar për anëtarësimin në NATO, ta kompletoni udhëtimin tuaj drejt familjes europiane”, theksoi Stoltenberg.
Stoltenberg u takua edhe me presidentin Stevo Pendarovski, dhe kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg të mërkurën (22.11.2023) në Shkup do të jetë mikpritës i samitit të vendeve anëtare të rajonit në NATO, ku do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti kroat Zoran Millatoviq, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob. Në këtë takim do të diskutohen sfidat e sigurisë në rajon, me theks të veçantë Bosnjen dhe Kosovën./DW
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut