Bashkimi Evropian tha të martën se një rishikim i programeve të ndihmave të zhvillimit për palestinezët, i urdhëruar pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit në Izrael më 7 tetor, nuk gjeti prova se fondet përfundonin në dorën e grupit militant dhe se ndihma për palestinezët do të vazhdojë.
BE-ja është kontribuesi më i madh i një ndihme të tillë për palestinezët. Blloku ka caktuar 1.3 miliardë dollarë për programet e ndihmave për periudhën 2021-2024.
Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, njoftoi rishikimin e programeve dy ditë pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin nga Gaza, duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë rreth 240 pengje, sipas të dhënave nga qeveria izraelite.
Zyrtarët thanë se rishikimi ishte urdhëruar si një masë paraprake, jo sepse ata kishin ndonjë të dhënë që paratë e BE-së përfundonin në duart e Hamasit.
“Inspektimi nuk gjeti të dhëna se paratë e BE-së kanë përfunduar drejtpërdrejt ose tërthorazi në duart e organizatës terroriste Hamas”, tha zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.
Ndihma për zhvillim përdoret për projekte të hartuara për të pasur një ndikim afatgjatë, si pagat për zyrtarët e Autoritetit Palestinez, i cili qeveris Bregun Perëndimor, dhe financimi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA. Kjo ndihmë është e ndarë nga ndihma humanitare, e destinuar për nevoja urgjente dhe gjëra thelbësore si ushqimi, uji dhe strehimi.
“Inspektimi gjeti se sistemi aktual i kontrollit ka funksionuar. Si rezultat, pagesa për përfituesit palestinezë dhe UNRWA do të vazhdojë pa asnjë vonesë”, u tha zoti Dombrovskis gazetarëve.
Komisioni tha se planet për të siguruar 82.5 milionë dollarë për projektet e infrastrukturës në Gaza që nuk ishin “të realizueshme në kontekstin aktual” do të përdoren për projekte të tjera./Voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...