“Gaza drejt armëpushimit”, Hamasi njofton se palët janë pranë akordit, Izraeli hesht

13:06 | 21 Nëntor 2023
E.K

Lideri i lëvizjes islamike të Hamasit ka deklaruar se një marrëveshje për armëpushim me Izraelin është shumë pranë arritjes, duke ngjallur shpresa për një ndërprerje të akteve armqiësore në Gaza, që mund të çojë në lirimin e pengjeve.

Izraeli nuk ka bërë ende një koment, por më herët kryeministri Netanyahu deklaroi se vendi i tij do të vazhdonte luftimet derisa pengjet të ktheheshin në shtëpi.

Sipas agjencive “AFP” dhe “Al Jazeera”, marrëveshja parashikon shkëmbimin e pengjeve izraelite me palestinezët e burgosur.

“Presidenti Biden dhe ekipi i tij po bëjnë gjithçka që mundemi për të siguruar lirimin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamas, përfshirë fëmijë dhe natyrisht shtetas amerikanë. Jemi më pranë se kurrë, ndaj jemi shpresëplotë. Por ka ende punë për të bërë dhe asgjë nuk mund të quhet e bërë pa përfunduar”, tha John Kirby, zëdhënsi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare të SHBA

Ndërkohë, familjarët e një pengu të Hamasit deklaruan se zyrtarë izraelitë u kishin thënë se lirimi i pengjeve nuk është prioritet përpara shkatërrimit të lëvizjes islamike.

“Po flasim për jetët e njerëzve, për familjarët tanë dhe ky duhet të jetë prioriteti kryesor. Kjo nuk do të thotë se neve nuk na intereson shkatërrimi i Hamasit. Absolutisht jo, askush nuk po e thotë këtë. Por ne jemi kritik ndaj mënyrës se si prioritetet po caktohen”, deklaroi Udi Goren, i afërm i pengjeve.

Ndërkohë, pamje të xhiruara nga ajri dhe të publikuara nga ushtria izraelite tregojnë objektivat e sulmuar në Gaza. Një zëdhënës i Hamasit raportoi se bilanci i viktimave të bombardimeve ka arritur mbi 13 mijë të vdekur, teksa lufta në Gaza hyn në javën e shtatë./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme