Keidi Bare: “Për ne është një ëndërr e bërë realitet”

19:48 | 19 Nëntor 2023
D.H

Shqipëria nesër luan ndeshjen e fundit në kuadër të kampanjës kualifikuese për “Euro 2024”, ndaj Ishujve Faroe.

Futbollisti Keidi Bare ishte në konferencë për media së bashku me trajnerin Sylvinho, shkruan Arbresh.info.

Ai foli lidhur me suksesin historik të Shqipërisë dhe të ardhmen që e pret me kombëtaren.

Keidi tregoi se kjo ishte një ëndërr e bërë realitet për të.

“Është një arritje shumë e madhe, për ne është një ëndërr e bërë realitet, por mbi të gjitha nuk duhet të ndalemi vetëm këtu, pasi kemi edhe gjëra të tjera. Që në fillim kur kemi folur me trajnerin në Barcelonë më ka motivuar shumë dhe na ka dhënë shumë besim si ekip dhe si grup. Çdo gjë ka ndryshuar dhe ka ndryshuar për mirë, duke nisur nga Federata ka bërë një punë shumë të mirë. Ne tani kemi një fushë ku të stërvitemi, kemi palestrën tonë, ndihemi dhe jemi shumë komod dhe kjo është falë tyre dhe duhet t’i falenderojmë pasi këto kushte për ne janë diçka shumë e mirë. Dëmtimet i kam kaluar dhe me thënë të drejtën më kanë lënë pak mbrapa, por do të vazhdoj të punoj fort për të arritur atje ku isha dhe mbi të gjtha për të ndihmuar ekipin”, tha Keidi.

Ai ka thënë se këtë sukses e ka ëndërruar qysh në fëmijëri.

“Unë e kam ëndërruar shumë këtë arritje që kur isha i vogël, por jo vetëm unë i gjithë ekipi Kombëtar, pasi është diçka unike për ne, për popullin tonë. Ia kemi dalë me sukses, me besim dhe me punë, por mbi të gjtha me mbështetjen e tifozëve. Edhe kur kemi luajtur jashtë vendit, ata kanë qenë prezent dhe për ne janë si një lojtar i 12-të”, tha Bare.

Tutje Bare theksoi se ndeshja me Ishujt Faroe është e rëndësishme pasi duan që të qëndrojnë në krye të grupit.

“Nuk ka mbaruar asgjë, ky është vetëm fillimi për ne dhe nuk duhet të ndalojmë këtu ku jemi, pasi e kemi kaluar fazën e kualifikimit dhe duhet të mendojmë për më lartë. Na pret një ndeshje të hënën, që është e rëndësishme, pasi duam të qëndrojmë në krye të grupit. Shpresojë që edhe në të ardhmen ti bëjmë gjërat kaq mirë sa tani”, shtoi ai.

Keidi foli edhe për trajnerin Sylvinho.

“Tani kemi një grup shumë të mirë, trajneri dhe stafi teknik na kanë ndihmuar jashtëzakonisht për të bërë një grup shumë të fortë dhe solid si jashtë dhe brenda fushe, që të jemi një. Futbolli është sport kolektiv dhe trajneri ka futur frymën e grupit dhe ne ia kemi dalë pasi rezultatet janë në favorin tone”, potencoi Kedi.

Për fund Bare foli rreth kundërshtarëve të preferuar në “Euro 2024”.

“Nuk kam asnjë kundërshtar të preferuar. Duhet të mendojmë dhe të shikojmë vetëm veten tonë, pastaj nuk ka rëndësi kë do të kemi kundërshtarë”, përfundoi Keidi Bare./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme