Konflikti i vështirë dhe i vjetër mes izraelitëve dhe palestinezëve për tokën, të drejtat dhe sigurinë është në një fazë të re.
Armiqësitë janë thelluar nga shtatë tetori, kur grupi palestinez, Hamas – i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë e robëruar njerëz. Izraeli është përgjigjur me sulme masive vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, të populluar me mbi dy milionë palestinezë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se nuk mund të ketë më kurrë kthim prapa në status quo-në e para 7 tetorit. Ai ka dhënë edhe qëndrimin e SHBA-së për atë që duhet të vijë kur kriza të përfundojë:
“Sipas mendimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”.
“Do të thotë, një përpjekje e përqendruar e të gjitha palëve – izraelitëve, palestinezëve, partnerëve rajonalë, liderëve globalë – për të na vënë në rrugë drejt paqes”, ka thënë Biden.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka përmendur po ashtu opsionin e zgjidhjes me dy shtete edhe gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, edhe gjatë një fjalimi para ligjvënësve britanikë.
“Sado e rëndë të jetë, ne duhet ta shtrojmë pyetjen e vështirë: si mund ta ringjallim perspektivën afatgjate për një zgjidhje me dy shtete, për normalizim dhe qëndrueshmëri rajonale? Kjo është pikërisht ajo që Hamasi është përpjekur ta vrasë”, ka thënë Sunak.
Edhe Këshilli Evropian ka konfirmuar angazhimin e tij për, siç ka thënë, paqe të qëndrueshme të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
“Ne theksojmë nevojën për t’u angazhuar gjerësisht me autoritetet legjitime palestineze, si dhe me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës”, ka thënë përmes një deklarate Këshilli Evropian.
Zgjidhja me dy shtete është qëndrim zyrtar edhe i Kombeve të Bashkuara, e madje edhe vetë Izraelit, por shumë tani thonë se ka pak shpresa për ta arritur atë.
Kjo zgjidhje do të sillte një shtet të pavarur palestinez, të krijuar përkrah shtetit ekzistues të Izraelit. Pyetja më e komplikuar është se ku do të ishin kufijtë e shtetit të ri?
Sipas një analize të Këshillit për Mardhënie me Jashtë, mbështetësit e kësaj zgjidhjeje besojnë se kufijtë do të duhej të ishin të njëjtit që kanë qenë para Luftës 6-ditëshe, më 1967, pas së cilës Izraeli ka pushtuar Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Por, që atëherë, Izraeli ka ndërtuar vazhdimisht vendbanime të reja brenda Bregut Perëndimor dhe tani janë rreth 600.000 izraelitë që jetojnë atje dhe në Jerusalemin e pushtuar Lindor. Me ligjin ndërkombëtar, këto vendbanime konsiderohen të paligjshme.
Por, ekzistenca e tyre e bën gjithnjë e më të vështirë që territori të përcaktohet si palestinez, thotë për programin Expos, Khaled Elgindy, drejtor i Programit për Çështjet Palestineze-Izraelite në Institutin për Lindjen e Mesme. Sipas tij, në këtë përpjekje mungon edhe angazhimi serioz i SHBA-së – aleates së ngushtë të Izraelit – i cili është i domosdoshëm.
“Nuk shoh që administrata Biden ka atë lloj largpamësie strategjike apo vullneti politik për të arritur zgjidhjen me dy shtete. Ajo do të kërkonte presion të konsiderueshëm mbi Qeverinë izraelite për të bërë gjëra shumë, shumë të vështira, siç është ndarja e Jerusalemit apo evakuimi i dhjetëra mijëra kolonëve izraelitë”, thotë Elgindy.
Krijimi i Izraelit dhe lufta e mëvonshme arabe-izraelite e vitit 1948 kanë bërë që shumë palestinezë të dëbohen nga shtëpitë e tyre. Ngjarja është njohur si Nakba, apo “katastrofë”.
Si të tillë, OKB-ja u ka dhënë statusin e refugjatit rreth 750.000 palestinezëve, duke i përcaktuar si: “Njerëz, vendbanimi normal i të cilëve ka qenë Palestina, gjatë periudhës 1 qershor 1946 – 15 maj 1948, por që i kanë humbur shtëpitë dhe mjetet e jetesës si rezultat i konfliktit të vitit 1948”.
Sipas kritereve të njëjta tani kualifikohen rreth 5.9 milionë palestinezë, që jetojnë në Bregun Perëndimor, në Gazë, në Jerusalemin Lindor dhe në kampe në Jordani, Liban dhe Siri, dhe që duan të kthehen në tokat e humbura gjatë luftës së ’48-ës.
Alonso rikthehet në “Anfield”, por tashmë si kundërshtar i “...
Zhegrova kërkon të vazhdoj magjinë në Champions League
Atilla i flet për raportin me Drenushën dhe qëllimin në shtë...
Kontrolle në katër shkolla në Mitrovicë, sekuestrohen thika ...
Artiola Toska shtatzënë për herë të parë në moshën 51-vjeçar...
Anija italiane nis një tjetër grup emigrantësh për në Shëngj...