Policia e Shqipërisë ka prezantuar planin e masave për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Ishujt Faroe, e cila do të luhet më 20 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 20 nëntor nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Ndërkohë masat e tjera të marra nga Policia e Shtetit janë si më poshtë:
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Ishujve Faroe, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë në stadium;
-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në “Arenën Kombëtare”, të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Me këtë rast, njoftohet se për shqiptarët dhe të huaj, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë nga 50-100 mijë lekë. Një tjetër veprim, i cili dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj, është me pengimi i zhvillimit normal të ndeshjes.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Me ligj dënohet me burg deri në tre vite çdo person që bën veprime të dhunshme ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, gjatë ndeshjes. Nëse kjo vepër përsëritet dënimi është më i rëndë, pra nga një deri në pesë vite, këtu përfshihen edhe drejtuesit apo anëtarët e klubeve sportive.
Portat e hyrjes në stadium ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00. Për të shmangur problematikat dhe vonesat kërkohet që tifozët të paraqiten në stadium duke nisur nga ajo orë.
Policia e Shtetit bën thirrje për të mos rënë pre e mashtrimeve për shitjen e biletave (çmimet), të cilat janë bërë publike. Biletat e ndeshjes janë personale, për këtë arsye duhet të mbahet vetëm nga personi që do ta përdorë për tu futur në ndeshje. Gjatë kontrollit në hyrjen e stadiumit pajisja që kontrollon barcodet regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar. Nëse përballeni me shkelje të tilla, që përbëjnë vepër penale, mund të denonconi në numrin 112.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv janë angazhuar qindra uniforma blu, të cilët do të qëndrojnë gjatë gjithë kohës në gatishmëri./tch
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...