Kombëtarja e Kosovës U21 ka barazuar me Bullgarinë, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultat 2:2, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025.
Dardanët të udhëhequr nga Afrim Tovërlani pësuan gol qysh në fillim, kur në minutën e 8-të realizoi Martin Sorakov, përcjell Arbresh.info.
Pas rezultatit 0:1, Kosova iu vërsul Bullgarisë, derisa në minutën e 34-t shënoi golin e barazimit përmes Ardit Tahirit, i cili ndryshoi shifrat për 1:1.
Minutat në vazhdim kaluan me dëshirën e Dardanëve për dominim, por një lëshim në mbrojtje në minutën e fundit të kohës së rregullt bëri që Bullgaria të përfitojë dhe të kalojë sërish në epërsi me golin e Martin Petkov.
Pjesën e dytë Dardanët e nisën mbarë dhe pas disa aksioneve të njëpasnjëshme arritën që në minutën 59-të të barazojnë shifrat. Autor i golit sërish ishte Ardit Tahiri.
Lojë dinamike dhe me raste në të dyja anët u zhvillua edhe në pjesën e mbetur të takimit por rezultati mbeti i pandryshuar (2:2).
Për përzgjedhësin Afrim Tovërlani ky ishte rezultat i kënaqshëm duke pasur parasysh mungesat e shumta.
“Duke pasur parasysh mungesat, 5 në formacionin e parë dhe koha e shkurtër për t’u sistemuar dhe për t’u koordinuar më mirë me futbollistët e tjerë, mendoj se në fund rezultati ishte korrekt sepse edhe ne patëm mundësi por pati edhe Bullgaria. Është për t’u cekur se dy herë futbollistët ishin në disavantazh dhe arritën të kthehen dhe kishim mundësi ta fitonim ndeshjen por kështu e ka futbolli. Shpresoj se këtyre që iu dha rasti dhe mundësia, të jenë edhe në të ardhmen tek Kosova. Nuk më intereson mosha, nëse i ka aftësitë dhe potencialin për ta treguar në fushë. I falënderoj futbollistët për angazhimin në një fushë jo të lehtë për të luajtur futboll”, theksoi Tovërlani.
Kosova ndodhet në grupin D bashkë me Gjermaninë, Poloninë, Estoninë dhe Izraelin. Me këtë të fundit do të përballet me datë 21 nëntor në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Dardanët deri tani kanë grumbulluar 5 pikë.
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...
Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Pacolli udhëton drejt A...