Apeli anulon përkohësisht vendimin e gjykatësit për kufizimin e komenteve nga zoti Trump
Një gjykatës apeli i shtetit të Nju Jorkut anuloi përkohësisht të enjten vendimin për kufizimin e komenteve të zotit Donald Trump lidhur me pjesëtaret e gjykatës që po shqyrton çështjen ndaj tij. Gjykatësi ngriti shqetësime për lirinë e fjalës.
Vendimi i gjykatësit David Friedman e lejon ish-presidentin që të komentojë lirshëm për stafin e gjykatës ndërsa zhvillohet një proces më i gjatë apelimi.
Gjykatësi Arthur Engoron, i cili po shqyrton çështjen ndaj zotit Trump për mashtrime financiare, dha urdhër më 3 tetor për kufizimin e komenteve të ish-presidentit pasi ky i fundit bëri komente të rreme në median sociale në lidhje me një punonjëse të gjykatës.
Pas kësaj, gjykatësi e gjobiti zotin Trump për shkelje me 15,000 dollarë dhe e zgjeroi gjobën edhe për avokatët e tij pasi ata ngritën pikëpyetje në lidhje me rolin e punonjëses së gjykatës tek çështja ndaj zotit Trump.
Ndërsa mori vendimin në një seancë urgjente të enjten, gjykatësi Friedman vuri në dyshim autoritetin e gjykatësit Engoron për të kontrolluar komentet e zotit Trump jashtë sallës së gjykatës.
Gjykatësi Friedman tha se vendimet për të mos komentuar zakonisht merren për çështje penale, kur ekziston frika se komentet mund të ndikojnë tek juria e çështjes. Gjyqi civil ndaj zotit Trump nuk ka juri.
Avokati i zotit Trump, Christopher Kise, tha se gjykatësi i apelit “mori vendimin e duhur dhe e lejoi Presidentin Trump që të përfitonte plotësisht të drejtat e tij kushtetuese që ofron Amendamenti i Parë, të drejtat për të folur për njëanshmërinë në gjyqin e tij, atë që ai po sheh dhe po dëshmon në gjyqin e tij, i cili duhet të ndiqet nga të gjithë”.
Një tjetër avokate e zotit Trump, Alina Habba, tha se ajo nuk ka në plan që ta këshillojë ish-presidentin që të heshtë në lidhje me punonjësen e gjykatës.
“Unë nuk shoh arsye për kufizime sepse zonja James po vazhdon ta diskreditojë klientin tim”, tha zonja Habba, duke iu referuar Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, e cila i ka ngritur akuzat. “Të dy palët duhet të jenë në gjendje të flasin”.
Vendimi i gjykatësit Friedman vlen edhe për avokatët e zotit Trump si dhe të tjerët e përfshirë në çështje.
Zoti Trump dhe avokatët e tij e kanë kritikuar shpesh punonjësen e gjykatës, Allison Greenfield. Ata pretendojnë se ish-kandidatja demokrate për një post gjykatëseje është një zë politik në veshin e gjykatësit Arthur Engoron, megjithëse edhe ai është demokrat.
Gjykatësi Engoron e ka mbrojtur rolin e saj në sallën e gjyqit, duke urdhëruar që të mos komentohet rreth punonjësve të gjykatës dhe duke e gjobitur zotin Trump 15,000 dollarë, për atë që gjykatësi e konsideroi shkelje.
Javën e kaluar, gjykatësi Engoron u kërkoi avokatëve të çështjes që të mos komentonin rreth “komunikimeve konfidenciale” midis tij dhe ekipit.
Avokatët e zotit Trump, të cilët kërkuan pavlefshmërinë e gjykimit të hënën, thonë se urdhëratë e gjykatësit Engoron po shtypin në mënyrë jo kushtetuese fjalën e lirë./VOA
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...